Arbëri

Në Gjakovë hedhet gurthemeli i memorialit në nderim të Brigadës 137

Në Çabrat të Gjakovës, të hënën, në 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është hedhur gurthemeli i lapidarit, në nderim të dëshmorëve të Brigadës 137 “Gjakova”.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, tha se ky memorial është i vonuar, por i lumtur që po realizohet tash. Ai u shpreh krenar që si pjesë e kësaj brigade gjatë luftës në Kosovë, është në gjendje të shtyjë para realizimin e këtij projekti, njoftoi KSP-ja.

“E kemi një shtet të pavarur që duhet ta rregullojmë çdo ditë, sot të gjithë duhet të jemi të lumtur sepse për të arritur këtu, është bërë një mund shumë i shumë gjatë dekadave. Një copë imja do të ndjehet gjithmonë krenar që kam qenë veteran dhe luftëtar i 137-shit. Urime 137-shit, urime të gjithë veteranëve dhe familjeve të dëshmoreve“, tha Gjini.

Përmendorja, sipas KSP-së, do të jetë e lartë 25 metra dhe do të ketë një punim ku do të shfaqen një nënë me dy fëmijë, përmes të cilëve do të tregohet sakrifica - e nënës për t’i rritur dhe e fëmijëve që dhanë jetën për atdheun.

Në kompleksin memorial është paraparë hapësirë edhe për varrezat e dëshmorëve.

Hekuran Hoda, pjesëtar i kësaj brigade, zbuloi se brenda kompleksit memorial do të ketë edhe amfiteatër, bibliotekë, muze të vogël si dhe një hapësirë për kafiteri. Projekti është realizuar nga arkitekti Arben Duraku.

Kryetari Gjini, gjatë ditës së hënë, bashkë me luftëtarët tjerë, bënë homazhe edhe te lapidari “Shokët e Lirisë”, në qendër të Gjakovës.