Personat e shurdhër në Gjilan deklarojnë se qasja në informacione mbetet e kufizuar

Personat e shurdhër në Gjilan deklarojnë se qasja në informacione mbetet e kufizuar

Feim Azemi 17 February 2020 15:13

Me personat e shurdhër në komunën e Gjilanit ulemi dhe bisedojmë në njërën prej kafiterive të qytetit dhe me ne është përkthyesja e gjuhës së shenjave Havushe Jashari-Islami e cila shërben si urë e komunikimit.

Personat e shurdhër deklarojnë se nuk diskriminohen nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe nuk paragjykohen ngase është arritur një lloj vetëdijesimi se edhe personat e shurdhër i takojnë shoqërisë kosovare.

Adem Syla, 53-vjeç, është njëri nga personat e shurdhër i cili vlerëson se periudha 1990-1999 ishte periudha më e vështirë për këtë komunitet ngase ata kishin dështuar që të organizoheshin në mungesë të financimit dhe nuk kishin përkthyes të gjuhës së shenjave.

Ai deklaron se në mungesë të aktiviteteve edhe pjesa tjetër e shoqërisë nuk kishte informacione për komunitetin e tyre dhe në këtë mënyrë ishin krijuar edhe paragjykimet.

“Para luftës nuk kishim mundësi që të realizonim një takim me një gazetar sepse nuk kishte përkthyes të gjuhës së shenjave. Sot i kemi 15 profesionistë që janë në gjendje që të punojnë dhe nuk frikësohemi në atë çfarë bëjnë. Vetëdija asokohe ka qenë e ulët. Ka pasur raste kur janë pyetur prindërit se çfarë fëmijë janë këta që nuk flasin. Të tjerët i kanë pyetur prindërit çfarë sëmundje kanë këta fëmijë. Si persona të shurdhër kemi jetuar në errësire meqë nuk kemi pasur qasje në informacione se çfarë po zhvillohet në shoqëri në mungesë të përkthyesit. Familjet tona janë përpjekur që të na tregojnë se çfarë po ndodh në shoqëri duke përdorur shenjat”, shprehet ai.

Tensionimin e situatës në Kosovë e kishte ndjerë edhe ai. Thotë se të qenurit i shurdhër është një përparësi nëse gjendesh në një zonë të luftës. Kurse lufta në vitin 1999 e gjeti atë në qytetin e Gjilanit i cili në fakt ishte një qytet i rrethuar nga ushtria dhe policia serbe të cilët fshiheshin nga bombardimet e Aleancës VerioAtlantike (NATO) të cilët kishin intervenuar për të shpëtuar popullin shqiptar nga gjenocidi.

“Kur ka qenë koha e bombardimeve kemi qëndruar në shtëpi sepse nuk kemi pasur ku të shkojmë. Njerëzit zgjoheshin nga gjumi kur kishte bombardime mirëpo unë këtë problem nuk e kam pasur se nuk kam dëgjuar asgjë”, shprehet Syla.

Ai tutje falënderon organizatat të cilat kishin ardhur në Kosovë dhe kanë dhënë kontributin e tyre për këtë komunitet duke i trajnuar në shumë fusha.

“Mbas lufte janë organizuar shumë trajnime dhe kemi pasur trajnues nga Finlanda dhe nga shtetet e tjera të cilët na kanë treguar se çfarë duhet të veprohet kur jemi në komunikacion se çfarë duhet të veprohet kur kemi të bëjmë me shëndetësinë. Tash e kuptojmë se në të kaluarën kemi jetuar në mjegull sepse nuk kemi dit se çfarë është duke ndodhur rreth nesh. Ata na kanë vetëdijesuar edhe për të drejtat tona të cilat na takojnë në shoqëri. Tani edicioni i lajmeve në ora 5 është me interpretuese të gjuhës së shenjave. I marrim informacionet dhe besoj se paraqitja e përkthyesit në media ka ndikuar që qytetarët të vetëdijesohen se ekziston një komunitet i personave të shurdhër”, ka potencuar ai.

Mirëpo personat e tjerë të shurdhër thonë se nuk është përmirësuar pozita e tyre në shoqëri derisa i fajësojnë institucionet komunale.

Përparim Haziri (33 vjeç) deklaron se qasja në informacione është e kufizuar duke kërkuar nga pushteti komunal i Gjilanit të realizojë projekte dhe të angazhojë një përkthyes të gjuhës së shenjave me qëllim që të informohen se çfarë është duke ndodhur në komunën e tyre.

“Shembull kur është një festë mbyllet një rrugë dhe të gjithë e dinë përveç ne. Kur dalim në rrugë e shohim se rruga është e mbyllur e pyesim veten se çfarë ka ndodhur. Tani e kam kuptuar se është duke u ndërtuar autostrada e Gjilanit. Jetoj në këtë komunë dhe nuk kemi qasje në informacione përveç lajmeve që zgjasin 15 minuta në televizionin publik. Pse komuna nuk realizon një projekt dhe të angazhojë përkthyesin e gjuhës së shenjave dhe të kemi ne informacione se çfarë po ndodh në fushën e shëndetësisë të arsimit të shërbimeve publike etj”, thotë Haziri.

Ai thotë se institucionet duhet të ndjekin praktikat e mira nga shtetet e tjera.

“Në shtetet e tjera kur ka stuhi ose tërmete shohim që kryetari i komunës del në konferencë për media dhe në krah e ka edhe përkthyesin e gjuhës së shenjave. Ose kur kemi rast tjera atëherë edhe institucionet tjera sigurojnë përkthyesin. Pse mos të ndodh një gjë e tillë dhe komuna duhet të realizojë projekte që kërkohet financim”, thotë ai.

Kurse Ismet Jashari (61 vjeçar) deklaron se pushteti komunal në Gjilan nuk ka përfillur kërkesat për sigurimin e një hapësirë ku ata do të mund që të zhvillonin veprimtarinë e tyre.

Me këtë konstatim pajtohen edhe anëtarët e tjerë të cilët vlerësojnë se përkrahja e komunës është minimale.

“Një projekt e kanë përkrahur me 700 euro dhe 300 euro drejtoria e sportit. Me 1 mijë euro jemi munduar që të mbulojmë aktivitetet e shoqatës për 1 vit. Kemi aplikuar me projekte por na kanë refuzuar. Kemi bërë kërkesë që të kemi një zyre mirëpo asnjëherë nuk na janë përgjigjur. Mbledhjet i mbajmë nëpër kafiteri. Pozita jonë nuk është përmisuar në shoqëri sepse institucionet nuk janë të gatshme që të bëjnë më shumë”, thotë Jashari.

Liridona Rudhani –Haziri deklaron se niveli i papunësisë në Kosovë është një problem i cili ndjehet edhe më shumë nga komuniteti i personave të shurdhër.

Ajo deklaron se personat e shurdhër në vazhdimësi kryejnë trajnime me qëllim që të jenë të aftë për tregun e punës. Sipas saj, problemi më i madh është hendeku i krijuar në mes personave të shurdhër dhe institucioneve komunale. Për këtë, ajo fajëson pushtetarët.

“Kemi shkuar që të takojmë kryetarin e komunës dhe të bisedojmë për probleme tona. Dhe zyrtari i komunës ka thënë që kryetari i komunës është në Amerikë. Mbas 1 ore e kemi parë kryetarin duke ecur në qytet. Në përgjithësi, ata nuk kanë vullnet që të bisedojnë për problemet tona që është mungesa e një zyreje, që është kryesore. Tash të protestojmë nuk e di çfarë efekti do të ketë dhe besoj që nuk do të marrin parasysh kërkesat tona”, ka thënë ajo.

Kurse Valon Haziri (20 vjeçar) nuk ndjehet se shoqëria i diskriminon.

Ndërkaq përkthyesja e gjuhës së shenjave Havushe Jashari-Islami deklaron se zhvillimet teknologjike ka ndihmuar këtë komunitet meqë në kohë reale ata bisedojnë me njëri tjetrin.

“Teknologjia na ka ndihmuar shumë. Sepse në kohë reale bisedojmë me njëri tjetrin. Shembull kanë një punë deri në bankë atëherë e hapin telefonin dhe bisedojmë përmes kamerës me gjuhën e shenjave dhe mandej i ofron zyrtarit të bankës dhe unë i sqaroj atij se çfarë është duke kërkuar. Për mu kryesore është privatësia e personave të shurdhër. Dhe ata ndihen të lirë me mu dhe unë i ndihmoj kur ata kanë ndonjë çështje në gjykatë, në shëndetësi etj”, shprehet ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme