Arbëri

​Komuna e Obiliqit me manifestim kulturor për 12-vjetorin e Kosovës shtet

Për nder të 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Obiliqit nën përkujdesjen e kryetarit të kësaj komune ka organizuar një manifestim kulturor.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka përkujtuar sakrificën dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve në rrugën e gjatë dhe të mundimshme për të arritur deri te liria aq shumë e pritur.

“Në këtë ditë të lavdishme të shënimit të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kujtojmë rrugën e gjatë e të mundimshme të brezave të tërë, gjaku, djersa dhe kontributi i të cilëve na mundësuan t’i kremtojmë të lirë e të pavarur ditët historike. Çdo përvjetor i shpalljes së pavarësisë na kthen te burimi i saj duke filluar me protestat e lëvizjes studentore, idealistët që ia përkushtuan jetën çështjes së atdheut, lëvizjes demokratike që i printe doktori historik Ibrahim Rugova e shumë intelektualë të tjerë për të kaluar te legjenda e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin legjendar Adem Jasharin”, tha Gashi.

Ai shprehu nderimet për të rënët në luftën e lavdishme të Kosovës, me mesazhin se vetëm së bashku mund ta bëjmë vendin tonë më të mirë, duke iu ofruar një të ardhme të ndritur gjeneratave të ardhshme.

“Në këtë ditë të shenjtë, ju shpreh nderimet dhe mirënjohjet më të larta, përkulemi me nder përpara veprës së dëshmorëve, martirëve dhe të gjitha viktimave të luftës çlirimtare. 12-vjetori i shpalljes së pavarësisë nuk është periudhë e gjatë në historinë e shteteve, por është për ne si popull i Kosovës. Vendit tonë çdo ditë i shtohen veprat e mira, andaj të përpiqemi së bashku ta bëjmë atë një vend më të mirë dhe më të sigurt për fëmijët dhe breza e ardhshëm, duke u bashkuar që amanetin e të rënëve për liri ta jetësojmë tërësisht”, tha Gashi.

Esat Curri, babai i dëshmorit Ferid Curri i rënë ne Grabovc, foli në emër të Shoqatës së dëshmoreve, dega në Obiliq.

“Është nder dhe privilegj t’u drejtohem në emër të dëshmorëve, dega në Obiliq, dhe t’ua uroj këtë ditë të madhe të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Sa herë e përkujtojmë pavarësinë e Kosovës, i kujtojmë dëshmorët e kombit, sa herë e kujtojmë lirinë e kujtojmë komandantin Adem Jashari, edhe shqiptarët i kanë datat historike që nuk harrohen kurrë. Sot është 17 shkurti, përvjetori i 12-të i Kosovës shtet i pavarur. Kudo nëpër rrugët e Kosovës valojnë flamujt e shtetit shqiptar të kësaj dite të madhe”, tha Curri./KosovaPress/