Qytetarët e Podujevës nuk lejohen të marrin pjesë në seancat e Kuvendit

Qytetarët e Podujevës nuk lejohen të marrin pjesë në seancat e Kuvendit

Nexhat Tovërlani 22 January 2020 17:01

E padrejtë dhe joligjore po konsiderohet pamundësia e qytetarëve për të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit Komunal të Podujevës. Rrjeti i organizatave “Demokracia Fillon Këtu” nëpërmjet një reagimi ka thënë se salla e re e KK-së nuk plotëson nevojat e publikut për të marrë pjesë aktive. E kjo, sipas kësaj organizate e cenon drejtpërdrejt transparencën.

“Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Podujevës nuk i plotëson kushtet për punë.

“Ne si shoqëri civile, jemi të zhgënjyer dhe shprehim shqetësimin tonë për shumë mangësi të shfaqura në objektin e ri të komunës dhe sidomos reagimi ynë ka të bëjë me Sallën e Kuvendit Komunal ku mbahen mbledhjet e kuvendit e cila është shumë e vogël dhe nuk plotëson nevojat e publikut për të marrë pjesë aktive çka cenon drejtpërsëdrejti transparencën karshi qytetarëve”.

Sipas kësaj organizate numri i ulëseve në këtë sallë është vetëm 7 më shumë se numri i këshilltarëve komunalë.

“Rrjeti Demokracia Fillon Këtu’-DFK konsideron se, mohimi i të drejtës së qytetarëve për të marrë pjesë në seancat e kuvendit komunal është e padrejtë dhe jo ligjore. Salla e punës së Kuvendit që shfrytëzohet për mbledhje, është aq e vogël sa nuk parasheh mundësi që publiku të marrë pjesë, pasi që janë vetëm shtatë ulëse më shumë se numri i asamblistëve. Duke mos krijuar mundësinë fizike për të marrë pjesë ne seanca, është përjashtuar publiku prej pjesëmarrjes që është e padrejtë dhe jo ligjore”, thuhet tutje në reagim.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, thotë se ka vend edhe për qytetarë në sallën e re të Kuvendit Komunal.

“Salla e mbledhjeve e Kuvendit të Komunës në objektin e ri është projektuar nga investitori, në këtë rast Komisioni Evropian, dhe pajisur me ulëse në bazë të numrit të këshilltarëve komunalë. Kuvendi i Komunës së Podujevës i ka 35 këshilltarë. Ndërsa, përveç ulëseve për anëtarët e Këshillit të Drejtorëve, Kryetarin e Komunës dhe Kryesuesin e Kuvendit, në sallë janë edhe 50 ulëse për këshilltarët dhe përfaqësues të shoqërisë civile, mediat grupe të interesit dhe qytetarë”, ka thënë Nazmi Elezi.

Kapaciteti i sallës dhe numri i ulëseve, sipas tij, është në bazë të projektit dhe është i njëjtë sikurse edhe në sallat e kuvendit në komunat e tjera, në objektet e ndërtuara nga Komisioni Evropian.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme