Drenasi bëhet me objekt të ri të Ujësjellësit

Drenasi bëhet me objekt të ri të Ujësjellësit

20 January 2020 14:41

Është përuruar objekti i ri i ujësjellësit në fshatin Çikatovë e Re në Drenas, me qëllim përmirësimin e shërbimeve ndaj klientëve, ku u tha se Kompania e Ujësjellësit në këtë komunë do të ofrojë një qasje të re ndaj cilësisë së shërbimit, jo vetëm sa i përket furnizimit me ujë, por edhe lehtësimit të procedurave.

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se me ndërtimin e objektit të ri të ujësjellësit, qytetarët e Drenasit do të kenë një vend ku mund të adresohen për të gjitha nevojat e tyre. Megjithatë, Lladrovci shprehu pakënaqësi ndaj menaxhmentit të ujësjellësit në këtë komunë.

“Ne e kemi pas obligim pronën me ia ofru kompanisë së ujësjellësit, si e ka kompania obligim me dhanë shërbime qytetarëve të Drenasit. Ne sot të gjithë jemi të lumtur për këtë objekt të mirë që e kemi bërë, por megjithatë, unë nuk kam qare pa tregu që jam i pakënaqur me punën dhe menaxhimin e ujësjellësit në komunën tonë, sepse mungojnë raportet e zhvillimit të punës në Ujësjellës dhe në ujërat e zeza. Ju e dini që komuna jone ka pas probleme me rrjet të ujësjellësit primar dhe sekondar, ne e kemi një pjesë të zyrtarëve dhe një kompani nën hetim për shkak se nuk e kanë fut fare gypin në rrjetin primar”, u shpreh Lladrovci.

Kryeshefi i KRU, ‘Prishtina’, Ilir Abdullahu, tha se nga sot qytetarët e komunës së Drenasit e kanë një objekt ku do të drejtohen për të gjitha kërkesat, ankesat dhe problemet që do t’i kenë në furnizim me ujë të pijshëm dhe në trajtimin e ujërave të zeza .

“Falë kryetarit ne kemi ndërtuar këtë objekt, i cili paraprakisht na ka ofruar tokën dhe objekti është ndërtuar me mjete të konsumatorëve dhe nga sot qytetarët e komunës së Drenasit e kanë një objekt ku do të drejtohen për të gjitha kërkesat, ankesat pastaj problemet që do t’i kenë në furnizim me ujë të pijshëm dhe në trajtimin e ujërave të zeza e kanë një seli se ku do të drejtohen dhe të marrin informacione”, tha Abdullahu/KsP.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme