Arbëri

Komuna e Gjilanit thotë se nuk ka kapacitete për sistemimin e 104 nxënësve të fshatit Petrovc të Kamenicës

Drejtoria e Arsimit në Gjilan nuk i ka kthyer përgjigje pozitive Komunës së Kamenicës në kërkesën e tyre që 104 nxënës të shkollës “Xhelal Sopi” të fshatit Petrovc të transferohen në shkollën “Nazim Hikmet” në fshatin Dobërçan.

Drejtoria e Arsimit në Gjilan ka vlerësuar se shkolla në fshatin Dobërçan nuk ka kapacitete të sistemojë këtë numër të nxënësve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kjo drejtori ka konfirmuar se asaj i është propozuar një marrëveshje nga ana e pushtetit komunal në Kamenicë dhe se njëra nga pikat e propozuara është që Gjilani të marrë përsipër sigurimin e transportit nga fshati Petrovc në fshatin Dobërçan. Drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, ka thënë se marrëveshja është e parealizueshme.

“Shkolla në Dobërçan është e ngarkuar dhe nëse i grumbullojmë edhe nxënësit nga fshati Petrovc atëherë na rritet numri edhe më shumë. Nuk kemi hapësira për atë numër të nxënësve. Ata kanë ofruar një propozim për bashkëpunim, mirëpo nuk është e përshtatshme. Është kërkuar nga ne që të marrim përsipër edhe transportin e nxënësve. Një përgjigje verbale ua kemi dhënë dhe u kemi treguar se e kemi të pamundur që t’i sistemojmë”, ka thënë ai.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)