Arbëri

Gjimnazi në Ferizaj me orar të shkurtuar shkaku i defektit në sistemin ngrohës

Prej disa ditësh gjimnazi “Shaban Hashani” në Ferizaj po përballet me telashe në sistemin e ngrohjes qendrore, si pasojë e defekteve teknike. Për këtë shkak, mësimi po mbahet me orar të shkurtuar.

Aktivistë të OJQ “AVONET” kanë kërkuar reagimin e autoriteteve të arsimit, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Aktivistët disa ditë me radhë tanë e kanë parë për së afërmi gjendjen e ngrohjes në këtë shkollë, andaj konsiderojmë se defektet që po shkaktohen në sistemin e ngrohjes qendrore duhet të riparohen me urgjencë, sepse aty edhe mësimi disa ditë me radhë është mbajtur me orar të shkurtuar”, ka thënë Kenan Gashi, drejtor në këtë OJQ.

Sipas tij, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar se shkollat nuk do të përballen me një gjendje të tillë siç ka ndodhur edhe në të kaluarën nga qeverisja e LDK-së.

“Këtë shkollë, por edhe disa shkolla të tjera i ka përcjellë i njëjti fat që të përballen me mungesë të ngrohjes gjatë sezonit dimëror. Kjo për shkak se nuk është testuar me kohë sistemi i ngrohjes dhe nuk janë bërë investimet e duhura në mënyrë që të mos kemi telashe të tilla. Kryetari Aliu ka premtuar se shkollat nuk do të përballen me telashe të tilla siç ka ndodhur gjatë qeverisjes së LDK-së, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Prandaj, kemi edhe shumë ankesa nga vetë prindërit për gjendjen e kësaj shkolle”, ka thënë Gashi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)