Arbëri

Banorët e Polacit të Skenderajt ankohen për mungesë të kanalizimit, ndotet uji i pijshëm

Të harruar e të lënë anash nga pushtetet komunale tash e sa kohë, ndihen banorët e fshatit Polac nga komuna e Skënderajt. Për banorët e këtij fshati, qëndrimi këtu është bërë i pamundur, shkaku i mungesës së kushteve elementare për zhvillimin e një jete normale.

Banorë të lagjes “Veliu” nga ky fshat, problem kryesor kanë mungesën e sistemit të mirëfilltë për bartjen e ujërave të zeza. Sipas përfaqësuesit të kësaj lagjeje, ata nuk janë të lidhur në rrjetin e kanalizimit që është shtrirë në këtë fshat, problem ky që po i dëmton më shumë se 200 shtëpi të lagjes, raporton KTV.

Safet Veliu, përfaqësues i lagjes Veliu thotë se në mungesë të sistemit, janë dëmtuar edhe bunarët nga ku banorë të lagjes furnizohen me ujë për pije. Veliu shton se si pasojë e kësaj, burimet e tyre për ujë të pijes janë prekur nga ujërat e zeza, çka i rrezikon ata nga ndonjë sëmundje eventuale.

Për ankesat e banorëve të kësaj lagjeje, nga komuna e Skënderajt nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim i ka thënë KTV-së se kanë ofruar zgjidhje, por që është penguar nga vetë banorët.

‘’Në atë lagje ka pasur pengesa nga vetë banorët e lagjes, mirëpo vitin që vjen problemi do të rregullohet’’, ka thënë Bekim Jashari, kryetar i Skënderajt.

Ndërsa, sipas banorëve, procesin e kanë penguar për shkak të punës jo të mirë të kompanisë që është kontraktuar për rregullimin e këtij problemi, derisa u janë dëmtuar edhe tokat bujqësore.

Në fshatin Polac, me rrjet të kanalizimit janë të lidhura vetëm 15 shtëpi, derisa edhe ato përballen me probleme të ngjashme, shkaku i pëlcitjes së gypave të shtruar kohë më parë.