Oborret e shtëpive në fshatin Lubizhdë e Qytetit të Prizrenit janë të mëdha. Ato kryesisht kanë kopshte të rregulluara. Mirëpo në pjesët qendrore të tyre zakonisht ka puse individuale, ani pse fshati ka një rrjet të ujësjellësit që prej vitit 1977.
Në disa raste këto puse kanë pamje të thjeshtë. Të tjerat janë të zbukuruara me gurë dekorativë. Por jetesa pa to është e paimagjinueshme për një numër të konsiderueshëm të banorëve të këtij fshati. Sipas tyre, në këtë lokalitete ka qindra puse individuale. Ndërkaq drejtuesit e fshatit thonë se janë mbi 300 puse individuale në vendbanimin që ka rreth 900 shtëpi dhe që tashmë konsiderohet si paralagje e qytetit të vjetër, shkruan Koha Ditore.
Banorja e përkatësisë boshnjake, Esma Alija, rrëfen se shumica e amvisërive kanë puse individuale për furnizim me ujë, pasi që rrjeti i ujësjellësit të fshatit nuk ka kapacitet për t’i përmbushur nevojat e banorëve.
“Ky problem ekziston prej vitesh, prandaj banorët e Lubizhdës kanë qenë të detyruar që të bëjnë zgjidhje me hapjen e puseve në oborret e tyre. Në fshatin tonë s’mund të paramendohet jeta pa pus të tillë. Prandaj shumica e shtëpive kanë nga një pus individual”, ka thënë Alija, e cila punon si mësimdhënëse. Sipas saj, në të kaluarën marrja e ujit nga puset ka qenë manuale, porse me teknologjinë bashkëkohore janë krijuar lehtësira në këtë drejtim. Megjithëkëtë, pohon se e tërë kjo kushton dhe se paraqet problem për familjet me kushte të vështira ekonomike. Një aspekt tjetër i rëndësishëm në lidhje me furnizimin nga puset individuale, sipas saj, është cilësia e ujit. “Uji i këtyre puseve nuk kontrollohet. Dyshoj në cilësinë e ujit, pasi që bëhet fjalë për ujëra sipërfaqësore. Nga aparatet shtëpiake dallohet se ka shumë gëlqere e gurë. Por meqë nuk po kemi zgjidhje tjetër, për momentin po duhet me funksionu në këtë mënyrë”, ka deklaruar Alija.
Ndërsa kryetari i fshatit Lubizhdë e qytetit, Nehat Vehapi, tregon se rrjeti i ujësjellësit në këtë lokalitet është ndërtuar në vitet 1976-1977, me kapacitet për rreth 300 shtëpi dhe se pas luftës është bërë rehabilitimi i tij nga organizata ndërkombëtare OXFAM. “Mirëpo, prej burimit deri në gypin kryesor janë gypat e asbestit që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve”, thotë Vehapi, duke shtuar se në periudhën e viteve 2001 e 2002 me punë vullnetare dhe me investime të banorëve është shtuar kapaciteti i ujit nga një burim tjetër.
“Por edhe ky ujë sërish nuk është i mjaftueshëm për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve. Kësisoj, në Lubizhdë çdo e treta shtëpi ka pusin e vet në oborr. Janë të detyruar me e ba, për me zgjidhë çështjen e furnizimit me ujë. Në fshatin tonë sigurisht janë mbi 300 puse individuale. S’mundet me u paramendua jetesa normale pa ujë”, ka thënë Vehapi, ndonëse pranon se hapja e tyre është barrë për buxhetin personal të secilës familje. Vehapi pohon se fshati ka rreth 900 shtëpi me afro 6 mijë banorë, ku rreth 2 mijë prej tyre janë mërgimtarë. Shumica është shqiptare, por ka edhe pjesëtarë të komunitetit boshnjak. Sipas tij, periudha më problematike sa i përket furnizimit me ujë në këtë fshat është stina e verës, kur kapaciteti i ujit pëson rënie, edhe për faktin se nuk ka burime alternative për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore dhe të kopshteve. “Ky është një fakt i dhimbshëm, pikërisht për arsyen se në atë periudhë vijnë mërgimtarët dhe nuk mund t’iu ofrojmë kushte optimale për qëndrim të rehatshëm”, ka deklaruar ai.
Krahas kësaj, tregon se edhe menaxhimi i rrjetit lokal të ujësjellësit është i vështirë. Ndërkohë, konfirmon se bisedat me organet përkatëse nuk kanë rezultuar me sukses për lidhjen e këtij ujësjellësi në sistemin e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”.
“Kemi pasë takime me ‘Hidroregjionin...’ dhe më Drejtorinë e Shërbimeve Publike për me u bë zgjidhja për kyçje në sistemin e ‘Hidroregjionit Jugor’ pasi tani të gjitha investimet nga ministria shkojnë përmes kompanive publike. Por qytetarët e Lubizhdës për shkak të shumë problemeve historike që i ka pasë ky lokalitet kanë hezituar që t’ia japin ‘Hidroregjionit’, se druajnë që uji mos po destinohet në tjera anë. Po ashtu, kanë frikë se nuk bëhen investime për shtimin e kapacitetit të ujit dhe se vetëm ujësjellësi merret me të, që është ndërtuar me kontributin e vet qytetarëve. S’kemi gjetur gjuhë të përbashkët për një marrëveshje mirëkuptimi për këto çështje”, ka thënë Vehapi.
Zëdhënësja e KRU “Hidroregjioni Jugor”, Nderona Kurtaj, ka deklaruar se fshati Lubizhdë i Qytetit vetë menaxhohet se nuk është i integruar në sistemin e kësaj kompanie. “Ky fshat ka sistem të ujësjellësit dhe nuk kanë pranuar të integrohen në KRU ‘Hidroregjioni Jugor’”, është shprehur ajo.
Ndërkaq disa muaj më parë autoritetet komunale të Prizrenit u patën bërë thirrje banorëve të fshatrave që nuk janë lidhur deri më tani në rrjetin publik të ujësjellësit që menaxhohet nga KRU “Hidroregjioni Jugor” që ta bëjnë një gjë të tillë. Në të kundërtën, patën theksuar se nuk do të kenë mundësi të kryejnë investime publike në rrjetet e ujësjellësit dhe të kanalizimit në këto vendbanime.
Sipas kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ky është një problem që duhet adresuar, në mënyrë që popullata të ketë furnizim me ujë me cilësi të kontrolluar. “Kemi një problem në shumë fshatra që nuk duan me qenë në sistemin publik të ujësjellësit”, pati thënë Haskuka, gjatë takimit publik të fundit me qytetarët. Ai pati theksuar se Prizreni ka qenë një prej komunave me më së paku përfshirje të fshatrave në rrjetin e ujësjellësit të kontrolluar nga KRU “Hidroregjioni Jugor”.
“Kemi pasë kërkesa nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që në shumë fshatra të bëjmë investime dhe ato pastaj të përfshihen në pagesa, respektivisht në sistemin publik”, pati deklaruar Haskuka, duke iu bërë thirrje të gjitha fshatrave që nuk janë të lidhura në sistemin e ujësjellësit ta bëjnë një gjë të tillë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të tyre, por edhe kostos më të ulët për buxhetin familjar.
“Apeloj edhe një herë që ta keni parasysh këtë. Gjersa keni rrjetet individuale ndoshta njëherë për njëherë nuk paguani, por pastaj edhe nuk e keni ujin e sigurt edhe duhet me realizu investime. Faktikisht, kjo gjendje ka kosto më të madhe sesa pagesa e tarifave mujore prej 4-5 eurove, që është për ujësjellës e kanalizim, dhe që siguron ujë të kontrolluar dhe më të shëndetshëm”, pati thënë Haskuka.
Ai pati theksuar se do t’i vazhdojë takimet me qytetarët, për t’i bindur ata që të lidhen në sistemin publik të ujësjellësit. “Përndryshe në vitet e ardhshme do ta kemi të pamundur me investua në një fshat në ujësjellës apo kanalizim nëse nuk janë të lidhur në sistemin publik të ujësjellësit”, pati deklaruar Haskuka.
Teksa pati raportuar për çështjen e ujit para qytetarëve dhe përfaqësuesve të lagjeve e fshatrave, kryetari i Prizrenit pati theksuar se qeveria komunale i ka dyfishuar investimet për furnizimin me ujë.
“Sa i përket ujit, investimet i kemi dyfishuar. Shumë projekte i kemi bashkë me ‘Hidroregjionin Jugor’. Çdo kërkese të ‘Hidroregjionit’ me projekte i kemi dalë përballë dhe i kemi mbështetur me buxhetin e Komunës”, pati theksuar Haskuka.
Ndërkohë kryetari i fshatit, Nehat Vehapi, ka theksuar se Lubizhda nuk mund të mbetet “enklavë” në Kosovë sa i përket zgjidhjes së këtij problemi. “Ne patjetër duhet të integrohemi si krejt lokalitetet, por kompania e ujësjellësit duhet të sigurojë kapacitet të mjaftueshëm të ujit, ashtu që mos ta dorëzojmë rrjetin tonë pa marrë një garanci se do të zgjidhet çështja e furnizimit 24 orë me ujë”, ka përfunduar ai.