Çdo vit është në rritje numri i të rinjve nga Peja dhe komunat e tjera që të mësojnë një zanat, pavarësisht se çfarë niveli shkollor kanë dhe drejtimin e kryer. Pothuajse të gjithë kanë të vetmin qëllim.
Që të ikin sa më shpejt jashtë dhe me vete ta kenë përveç aftësimit në zanatin e mësuar edhe certifikatën për zanatin e kryer. Ky interesim është më se i prekshëm në Qendrën për Aftësime Profesionale (QAP) në Pejë, në të cilën nga muaji në muaj vazhdimisht është duke u rritur numri i të rinjve që duan të mësojnë ndonjërin prej 11 profesioneve që ofron kjo qendër, shkruan sot Koha Ditore.
Aftësimi i ndonjërit prej zanateve në këtë qendër është atraktive për të rinjtë edhe nga fakti se certifikatat që lëshohen në QAP njihen edhe nga Bashkësia Evropiane. E një këso certifikate synon ta marrë edhe i riu nga Istogu, Gentrit Ademaj, i cili është aktualisht duke ndjekur në këtë qendër, kursin për ujësjellës.
“Është zanat që nuk të lërë pa punë edhe këtu, por qëllimi im është që të iki sa më shpejt jashtë, konkretisht në Gjermani dhe për këtë qëllim më shumë edhe kam ardhur ta mësoj këtë zanat”, tregon ai arsyen e ndjekjes së këtij kursi tremujor.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)