Shumica e këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Ferizajt kanë qëndruar në një vizitë treditore në Shqipëri për ta hartuar Planin e punës së KK-së për vitin 2020. Në kuadër të agjendës, ata kanë vizituar edhe Bashkinë e Shkodrës dhe disa qytete të tjera.
Për këtë vizitë Komuna ka shpenzuar buxhetin vetjak në vlerë prej rreth katër mijë eurosh. Për këtë vizitë 32 kuvendarë nga Ferizajt kanë pasur një akomodim (all inclusive) në njërin nga hotelet më prestigjioze në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkohë, kanë reaguar kuvendarët që nuk kanë marrë pjesë në këtë vizitë me arsyetim se Komuna nuk po gjen mundësi buxhetore për t’i rinovuar banjat në shkollën fillore “Gjon Serreçi”, derisa po rrezikohen 2.500 nxënës nga kundërmimi. Gjithashtu, prej disa kohësh Komuna po përballet me kërkesa të vazhdueshme që të paguhen biletat e autobusëve për nxënësit e kategorive sociale.
Nehat Mustafa, këshilltar i Pavarur në KK të Ferizajt nëpërmjet një reagimi të mërkurën, ka thënë se nuk ka pranuar të shkonte në këtë vizitë në Shqipëri derisa ka konsideruar se me atë buxhet do të mund të rinovoheshin tualetet e shkollës fillore “Gjon Serreçi”. Sipas tij, vetë agjenda e dërguar nga Sekretaria e Kuvendit më shumë ngjante në një ekskursion, sesa në vizitë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)