Banorët e dy vendbanimeve në Pejë kundërshtojnë rrethrrotullimin

Banorët e dy vendbanimeve në Pejë kundërshtojnë rrethrrotullimin

Ilir Osmanaj 19 November 2019 08:32

Dhjetëra banorë të fshatit Qyshk dhe të Bashkësisë Territoriale “Kristal” të Pejës kanë protestuar të hënën për largimin e një rrethrrotullimi, që ka nisur të ndërtohet në fillim të muajit tetor në hyrje të qytetit të Pejës nga drejtimi i Prishtinës.

Sami Çeku, përfaqësues i banorëve të dyja vendbanimeve që protestonin, tregoi se ky rrethrrotullim është ndërtuar në një vend që ju ka vështirësuar qarkullimin atyre dhe fëmijëve të tyre, shkruan sot Koha Ditore.

“Është një rreth shumë i pavend. I ka bllokuar këmbësorët anën e djathtë e të majtë të rrugës dhe është një rreth që është bërë privat nga korporata Devolli. Këtu nuk mundet të kalojnë më këmbësorët e as fëmijët tanë kur shkojnë në shkollë, sepse nuk ka më kalim të këmbësorëve në këtë vend. Na duhet me i përcjellë fëmijët në shkollë për ta kaluar rrugën. Nëse është dashtë një rreth, atëherë kanë mund ta bëjnë disa metra më poshtë ku kyçen në këtë rrugë të transitit aty më poshtë”, shpreh Çeku ankesat në emër të banorëve kundër atij rrethrrotullimi rrugor, që ka nisur të ndërtohet afër terminalit doganor të Korporatës Devolli.

Protestuesit ankohen edhe për qasje me automjete në atë rrugë me katër korsi në hyrje të Pejës.

“Këtu nuk kemi qasje direkte në rrugën me katër korsi. Tash shkaku i këtij rrethi që ka nisur të ndërtohet na duhet rreth e rrotull 15 minuta të shkojmë me makinë disa kilometra që të mund të kyçemi në njërën anë apo tjetrën të rrugës. Ky rreth e ka vështirësuar shumë qarkullimin e banorëve edhe të kyçjes në rrugë në këtë pjesë”, ankohen protestuesit një zëri.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme