Arbëri

Fondacioni gjerman “Luftbrucke” dhuroi një autoambulancë për Malishevën

Fondacioni gjerman “Luftbrucke”, në ceremoninë e festimit të 30 vjetorit të themelimit të tij, që është mbajtur më 7 nëntor të këtij viti, për Komunën e Malishevës ka dhuruar një autoambulancë për nevojat e ofrimit të shërbimeve shëndetësore.

Pronarë të këtij fondacioni janë Rudofl Broer dhe Rudofl Rodenbroker, të cilët në ceremoninë e mbajtur në Gjermani, ia kanë dorëzuar donacionin kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Begaj dhe drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Liridon Hoti, e kanë falënderuar fondacionin dhe përfaqësuesit e saj për këtë donacion të radhës, i cili ka rëndësi të madhe për ofrimin e shërbimeve të shpejta shëndetësore për Komunën e Malishevës.

“Ky nuk është donacioni i parë, pasi fondacioni ‘Luftbrucke’ në vazhdimësi e ka përkrahur Malishevën me donacione konkrete, sidomos në fushën e shëndetësisë dhe për këtë, Komuna e Malishevës ju është mirënjohëse përjetësisht”, ka thënë mes tjerash Begaj në fjalimin e tij të mbajtur në ceremoninë e 30 vjetorit të këtij fondacioni.

Në këtë ceremoni, delegacioni nga Malisheva, është takuar edhe me përfaqësues të jetës shoqërore dhe politike të Gjermanisë, përfshirë edhe Hartmut Schauerte, sekretar i ish-kancelarit Helmut Kohl, dhe përfaqësues të biznesit gjerman, me të cilët ka biseduar për zhvillimin ekonomik dhe mundësitë e përkrahjes për Komunën e Malishevës.

Donacioni i dhuruar nga fondacioni “Luftbrucke”, do të vijë në Malishevë gjatë kësaj jave, pas kryerjes së procedurave për sjelljen e donacionit.