Arbëri

Në Kamenicë kërkohet ndihmë nga qytetarët për shuarjen e zjarrit që është përhapur në pyje

Zjarrfikësit tash e 3 ditë janë duke bërë përpjekje që të shuajnë zjarrin në pyjet e Meshines që ndodhet 4 kilometra larg qytetit të Kamenicës. Mirëpo zjarri ende nuk është lokalizuar dhe njësia e zjarrfikësve është duke kërkuar nga qytetarët që t’u dalin në ndihmë me qëllim shuarjen e zjarrit i cili është përhapur në një sipërfaqe, të cilin nuk munden të mbulojnë me numrin e personelit që ata kanë, raporton Koha Ditore.

Komandanti i Stacionit të Zjarrfikësve në Kamenicë, Riza Bunjaku, deklaron se ata janë duke intervenuar në fikjen e zjarrit edhe në pjesë të ndryshme të Kamenicës e cila ka ndikuar që të limitohen edhe kapacitet e tyre.

“Ujë kemi, por problemi është se kamionët në këtë pjesë nuk hyjnë dhe fizikisht përmes pompave po mundohemi që të shuajmë. Ky shtet ka mbetur dorën e zjarrfikësve asnjë institucione tjetër nuk na del në ndihmë. Po kërkojmë vullnetar që të na ndihmojnë sepse kemi probleme për shkak se zjarri është përhapur në sipërfaqe të mëdha dhe me këto kapacitete është e vështirë. Krejt ndihma çfarë është ofruar është me dalë në vendngjarje nga komuna mirëpo për këtë lloj ndihme nuk kemi nevojë ne. Na duhen resurse njerëzore me qëllim fikjen e zjarrit” ka thënë ai.

Ai deklaron se zjarri është iniciuar qëllimshëm nga faktori njeri dhe se i takon autoriteteve policore që të zbulojnë këtë rast. Bunjaku shton se me ekipet të cilat janë në terren është pamundur shuarja e zjarrit.

“Po është iniciuar qëllimshëm, në dy anët kemi zjarrin që është përhap mandej kah Strezoci një pjesë dhe kah Tugjeci. Policia kanë deklaruar se kanë intervistuar një person gjoja se ka qenë i dehur dhe ka ndezur pjesën e pyjeve . Tash jemi me ekipet në terren sepse kemi pasur intervenim edhe në fshatin Lajqiq ku kemi fikur zjarrin por edhe në Svircë kemi pasur zjarre. Tash këto zjarret që po ndodhin ka gjasa që po ndodhin për ‘pastrimin’ e barishtave por që më vonë përhapet edhe në pyje. Por mundet me ndodh edhe për një arsye tjetër ngase me shkatërrimin e pyjeve nga zjarret me lehtë është me marr leje për prerjen e drunjëve në mënyrë masive sepse kështu e lejon ligji. Nuk është se malet po djegën për shkak të temperaturave të larta” ka thënë ai.

Kurse shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Kamenicës, Meriton Ramabaja, i ka deklaruar gazetës se ata kanë ekipin e tyre të emergjencës të cilët janë në terren të cilët bashkëpunojnë edhe me zjarrfikësit.

“Kemi ekipet e emergjencës të cilët kanë bashkëpunimin me zjarrfikësit. Vështirë të kontrollohet zjarri por zjarrfikësit kanë kapacitete sepse kanë ekipe, kamioneta por vështirë që të shkohet në ato vende” ka thënë ai.