Arbëri

Supremja pezullon shitjen e tokave bujqësore nga AKP-ja në Shtime

Kjo hapësirë prej më shumë se dy hektarësh, këtë të mërkurë është nxjerrë në ankand nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Madje, pati edhe oferta të larta për blerjen e saj, raporton KTV.

Mirëpo, një gjë të tillë janë duke e kundërshtuar banorët e Shtimes.

Ata pretendojnë se kjo hapësirë është pronë private dhe kanë protestuar para objektit ku u mbajt ankandi.

Edhe pse thonë që tokat i kanë blerë e punuar me vite të tëra, nuk kanë dokumente që tregojnë se pas vitit 1982, ajo hapësirë u takon atyre.

Këta banorë vazhdimisht kanë kundërshtuar shitjen e kësaj hapësire, që një kohë ishte e destinuar për ndërtimin e fabrikës së gypave të çelikut IMK.

Që nga ajo kohë, ata kanë dërguar edhe ankesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Në një përgjigje me shkrim, nga ky institucion thonë që pikërisht në ditën e protestës, këtë të mërkurë, ky institucion ka vendosur në favor të paditësve dhe gjithashtu masë të sigurisë për tokat.

Kështu, Gjykata, AKP-së i ka ndaluar shitjen e tyre në ankandin e 51-të, deri në vendimin përfundimtar të Supremes.

“Me 23.10. 2019, Dhoma e Posaçme, gjegjësisht Kolegji, ka nxjerrë aktvendim me të cilin aprovohet kërkesa e paditësve për lëshimin e masës së sigurimit si e bazuar dhe i ndalohet të paditurës (AKP) shitja e njësisë 05 në valën e 51, toka bujqësore në sipërfaqe prej 9,229 m2 (92 ari 29 m2) parcela me nr. 01331/0, (arë klasës 4) në zonën kadastrale Shtime. Kjo masë e sigurimit do të mbetet në fuqi derisa Dhoma e Posaçme të marrë vendim përfundimtar për padinë”, ka thënë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.

Ndërkaq, pas këtij vendimi, Agjencia Kosovare e Privatizimi është zotuar se do ta zbatojë atë.

“Çdo palë pretenduese ka të drejtë t’i drejtohet në çdo kohë Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila ushtron juridiksion ekskluziv për të gjitha kontestet eventuale pronësore, të cilat kanë të bëjnë me ndërmarrjet shoqërore dhe/ose Agjencinë Kosovare të Privatizimit. AKP merr për bazë dhe zbaton vendimet e DhPGjS, e cila, sipas ligjit në fuqi, ka juridiksion mbi Agjencinë”, ka thënë Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Hapësira që banorët e Shtimes thonë që është pronë private, në vitin 1982 është kthyer në pronë shoqërore.