Arbëri

Vihet gurëthemeli i shkollës “Emin Duraku” në Dragobil të Malishevës

Këtë të enjte është vënë gurëthemeli i shkollës “Emin Duraku” në Dragobil të Malishevës, investim ky i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë e që kap shumën prej një milion euro.

Këtë të enjte është vënë gurthemeli i shkollës “Emin Duraku” në Dragobil të Malishevës, investim ky i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë e që kap shumën prej një milion euro.

Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj tha se arsimi në Dragobil ka një traditë të hershme.

Duke thënë se ka ndërtuar shumë shkolla, Begaj tha se shpeshherë është kritikuar për një gjë të tillë, porse shtoi se nuk do të ndalet në përmbushjen e kushteve për një arsim sa më cilësor.

Sipas tij, investimi në arsim është investimi më i qëndrueshëm.

“Ia kemi pasur borxh me e pas një shkollë këtu, i ka ardhur momenti tash të vihet gurëthemeli bashkë me juve. U jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë bërë punën e tyre në nivelin qendror, sidomos faktorin nga Malisheva, po të mos ishin ata në Prishtinë nuk do të ishte edhe shkolla këtu. Kam filluar me marrë kritika prej shumë njerëzve: ‘po ndërton shumë shkolla në Malishevë’, kurrë nuk ka me u ndalë, sa të më jep Zoti jetë kam me ndërtu shkolla”, tha Begaj.

Drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Arianit Paçarizi, tha se kjo shkollë ka përgatitur gjenerata të reja dhe nga kjo shkollë kanë dalë shumë profesionist.

Për këtë, sipas tij, është shumë e dobishme dhe e nevojshme që fshati Dragobil të ketë një shkollë dhe një sallë sportive me kushte bashkëkohore.

Sipas tij, shkolla është duke u ndërtuar me standarde të larta dhe se MAShT ka ndarë një milion euro për ndërtimin e kësaj shkolle.

“Sot po fillon ndërtimi i një shkolle me standarde të larta dhe me kushte bashkëkohore dhe cilësore. Le të jetë ky projekt një hap i mbarë për të gjithë brezat e rinj që do të vijojnë mësimin në shkollën tonë, me pajisje moderne, me kabinete të ndryshme për ofrimin e kushteve më të mira për nxënësit e kësaj shkolle për zhvillimin e procesit mësimor në një ndërrim që na ofron kushte më të mira”, u shpreh ai.

Në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë foli zëvendësministri Eset Sahiti, i cili u shpreh i kënaqur për ndërtimin e kësaj shkolle.

“Uroj që këto ndërtime të bëhen sa më cilësore dhe të kryhen në dinamikë sa më shpejtë, në mënyrë që nxënësit dhe arsimtarët të punojnë në kushte më të mira se që kanë punuar deri më tani. Plotësimi i këtyre nevojave shkollore ngrit cilësinë në arsim”, tha ai.