Arbëri

Shkolla “Gjon Serreçi” në gjendje të keqe, kritikohet vizita e ministrit Bytyqi në kohë zgjedhjesh

Tash e sa vjet, mbi 2 mijë nxënës të shkollës fillore “Gjon Serreçi’ në Ferizaj, zhvillojnë procesin mësimor në kushte tejet të vështira infrastrukturore.

Shkolla e cila ndodhet në qendër të qytetit, ka klasë me dyer të thyera e me një inventar të vjetruar, gjë që për mësimdhënësit dhe nxënësit po krijon vështirësi, raporton KTV.

Ndonëse kishin marrë premtime edhe më herët nga Ministria e Arsimit për investime, tek të hënën, ministri në detyrë Shyqiri Bytyqi vizitoi këtë shkollë.

Drejtori i shkollës tha se përveç kushteve të këqija, ka edhe mungesë të hapësirës dhe janë detyruar që mësimin ta zhvillojnë në tri ndërrime.

Prindërit e nxënësve disa herë kishin bërë kërkesë që të investohet në përmirësimin e infrastrukturës në këtë shkollë, por nuk ishin marrë parasysh.

Ata nuk kanë dashur të flasin para kamerës, por kanë akuzuar ministrin që tash në kohë fushate, po e viziton shkollën dhe se intervenimi në këtë shkollë është i domosdoshëm.