Arbëri

Aktakuzë ndaj përgjegjësit për kontaminim të ujit në Kamenicë, ende problem me furnizim

Gjendja emergjente për ujin e pijes në Kamenicë po vazhdon ende.

Banorët thonë që nuk kanë ujë të pijes me ditë të tëra.

Saime Mavriqi, tash e tri javë është detyruar të udhëtojë për të siguruar ujin e pijes.

Sipas saj, ende uji po kundërmon, raporton KTV.

Ndërkaq, për muajin e kaluar, ishte arrestuar edhe një person, për të cilin, Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë.

“Prokuroria Themelore në Gjilan – Departamenti i Përgjithshëm, më 4 shtator 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit N.D., pasi i njëjti më 23-26 gusht 2019, nga pakujdesia, afër Seperacionit ‘Krileva Company’, në lumin ‘Kriva Reka’, me qëllim të pastrimit të një pusete nga stalla e kafshëve me mbetje të fekaleve të kafshëve, ka urdhëruar punëtorët e tij që të njëjtat t’i hedhin në afërsi të lumit më pak se 10 metra, me ç’rast edhe ka kontaminuar ujin e pijshëm, duke rrezikuar jetën dhe shëndetin për banorët e komunës së Kamenicës”, ka thënë Liridona Xheladini, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore, Gjilan.

Mirëpo, një gjë të tillë e ka mohuar vetë pronari i kësaj stalle.

Naim Demolli për KTV-në, ka thënë që plehrat ata i hedhin në livadhe ose i shesin.

Sipas tij, janë kanalizimet e fshatrave përreth që e kanë kontaminuar ujin.

Ndërkaq, nga komuna e Kamenicës thonë që janë duke punuar në hapjen e puseve për furnizim me ujë.

Që nga 5 shtatori, qyteti i Kamenicës është në gjendje emergjente për ujin e pijes. Kjo gjendje, sipas zyrtarëve të komunës, ka ardhur pas kontaminimit të lumit “Kriva Reka” nga një person.