Arbëri

Po ndërtohet ura e katërt nga 10 të planifikuara për sivjet në Podujevë

Në kuadër të investimeve kapitale në projektet infrastrukturore në qytet, në lagjen Stublla të Podujevës është duke u ndërtuar ura e re mbi lumin Llap, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, kanë vizituar këtë lagje për të përcjellë punimet në realizimin e këtij projekti.

“Kjo urë lehtëson lëvizjen e qytetarëve dhe e bën më të lehtë lidhjen e kësaj pjese të qytetit me rrugën magjistrale Podujevë-Prishtinë”, tha Veliu.

Ndërtimi i kësaj ure është njëri nga katër projektet e realizuara në ndërtimin e urave në territorin e Komunës së Podujevës, nga 10 sosh që janë planifikuar për ndërtim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.