Arbëri

Stafi i shkollës “Gjon Serreçi” në Ferizaj kërkon përmirësimin e kushteve të punës

Stafi dhe nxënësit e shkollës së mesme të ulët “Gjon Serreçi” në Ferizaj prej disa vjetësh po përballen me kushte të rënda teknike brenda hapësirave të objektit. Ndërkohë Komuna deri tashti nuk ka planifikuar ndonjë pjesë të buxhetit për investime kapitale me arsyetim se tashmë është në përfundim e sipër ndërtimi i një objekti të ri shkollor në të cilën do të transferohen nxënësit.

Po ashtu përveç prindërve shqetësime po paraqesin edhe mësimdhënësit rreth gjendjes së vjetruar të objektit. Nëpërmjet një letre të hapur, mësimdhënësja e kësaj shkolle, Dije Lohaj, u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike që po garojnë në këto zgjedhje që ta përmirësojnë infrastrukturën shkollore në objektin “Gjon Serreçi”, shkruan sot Koha Ditore.

“Jo fort larg institucionit që po pretendoni të qeverisni në të ardhmen, ku do të hyni e dilni përditë, për të bërë punën tuaj, nja 100 metra prej jush, gjendet shkolla e mesme e ulët "Gjon Serreçi", me afro 3000 nxënës, të cilët çdo ditë presin e besojnë ndryshimin e gjendjes infrastrukturore të shkollës ku mësojnë. Nëse institucionet përkatëse ferizajase nuk kanë mundësi për t’i realizuar këto që thamë më sipër, atëherë, le të kërkojnë përkrahjen nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë, sepse këta nxënës nuk janë vetëm të Ferizajt, por të krejt Republikës së Kosovës, ku ka të bëjë me jetën, të drejtën dhe arsim-edukimin e afro 3000 fëmijëve, të 3000 shpirtrave të ardhmërisë së shtetit dhe të shoqërisë sonë”, ka thënë Lohaj.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)