Arbëri

“Ekoregjioni” në Prizren vullnetarisht pastron rrugët e mirëmban gjelbërimin, OSHP-ja e kishte anuluar tenderin

Kompania regjionale e pastrimit "Ekoregjioni", pos grumbullimit të mbeturinave, bën edhe pastrimin e rrugëve si dhe mirëmban hapësirat gjelbëruese në pesë komuna.

Por këtë vit, këto dy shërbimet e fundit është duke i kryer në mënyrë vullnetare në komunën e Prizrenit, pasi në shkurt të këtij viti, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka anuluar tenderin, pas ankesës së një kompanie tjetër, raporton KTV.

Nehat Pasha, drejtor në KRP "Ekoregjioni" ka thënë se janë duke pritur nga Komuna e Prizrenit, si aksionarja më e madhe e kësaj kompanie, që të bëjë një zgjidhje, pasi janë duke punuar pa kontrata për këto shërbime.

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik ka anuluar tenderin e Komunës së Prizrenit për mirëmbajtjen e rrugëve.

OSHP-ja e ka pranuar si të bazuar ankesën e një operatori ekonomik, sipas të cilit, Komuna e Prizrenit nuk ka bërë specifikim të qartë në dosje të tenderit.

Megjithëkëtë, kryetari i kësaj Komune, Mytaher Haskuka, ka thënë shkurt se nuk ka për çka të deklarohet, pasi lënda është në OSHP dhe se Ekoregjioni nuk i jep llogari këtij institucioni.