Opozita e konsideron partiak planin zhvillimor të Pejës

Opozita e konsideron partiak planin zhvillimor të Pejës

Ilir Osmanaj 22 August 2019 08:59

Në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur të mërkurën, këshilltarëve në Kuvendin Komunal të Pejës u është dashur të përsërisnin procedurën e kryer në seancën e rregullt të kuvendit në muajin prill, për shqyrtimin, miratimin dhe dërgimin në diskutim publik të draft- dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) për periudhën 2019-2027.

Në seancën e muajit prill, ekzekutivi e kishte sjellë kokë më vete në kuvend draftin e PZHK për të marrë pëlqimin e kuvendit për dërgimin e tij në diskutim publik, pa siguruar paraprakisht pëlqimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila nuk kishte lejuar që drafti të shkonte në diskutim publik pa pëlqimin e saj, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Ministria ka kërkuar që data e pëlqimit të Kuvendit Komunal për draftin e PZHK-së të jetë pas dhënies së pëlqimit të Ministrisë. Është kërkuar që ne të mbajmë një seancë të jashtëzakonshme. Këto janë arsyet që na kanë shtyrë që të thërrasim seancën e jashtëzakonshme. Diskutimi publik duhet të nisë tetë ditë pas miratimit të këtij drafti në kuvend. Pas mbajtjes së diskutimit publik, materiali i draftit duhet të dërgohet serish në ministri për të marrë serish pëlqimin pas vërejtjeve dhe sugjerimeve të marra në diskutime dhe pastaj kthehet dokumenti në kuvend për miratim përfundimtar”, u ka sqaruar këshilltarëve kryesuesi i Kuvendit, Islam Husaj, arsyen për thirrjen e kësaj seance.

Pëlqimin nga ministria komuna e ka marrë tek më 5 gusht për çka kuvendit i është dashur sërish të merret me këtë draft-dokument, pas përmirësimit të mangësive të gjetura nga ministria, pasi i është dërguar drafti i miratuar në seancën e muajit prill.

Mangësitë, vërejtje dhe kritika për këtë draft-dokument i kanë shprehur edhe këshilltarët e subjekteve opozitare në këtë seancë të jashtëzakonshme.

Madje këshilltari i Alternativës opozitare në Kuvend, Reshat Nurboja, këtë dokument të rëndësishëm për zhvillimin e Pejës në tetë vjetët e ardhshëm e ka vlerësuar si plan partiak.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme