Arbëri

Përurohet reparti i emergjencës në Spitalin e Gjilanit

Në Spitalin e Gjilanit sot është përuruar reparti i emergjencë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë repart janë investuar rreth 200 mijë euro në rinovim dhe aparaturë mjekësore për ta krijuar një shërbim modern që u përgjigjet kërkesave të qytetarëve.

Ministri Uran Ismaili e ka quajtur këtë një ditë të mirë për shëndetësinë kosovare.

“Sot është një tjetër ditë e mirë për shëndetësinë dhe luftën tonë kundër korrupsionit. Jemi në repartin e shërbimit emergjent në Spitalin e Gjilanit ku së fundmi kemi investuar rreth 200 mijë euro për ta transformuar këtë repart”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka shtuar se qytetarët e Gjilanit nga sot kanë në dispozicion një shërbim modern që do t’u përgjigjet të gjitha kërkesave emergjente.

"Kënaqësi e dyfishtë të shoh nga afër investimet që janë bërë të mundura falë luftës së madhe kundër korrupsionit, të cilën kemi bërë këto dy vjet në shëndetësi”, ka thënë Ismaili.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se edhe ky investim është bërë në vazhdën e përmirësimit të kushteve për profesionistët shëndetësorë dhe pacientët.

Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu, ka thënë se tani pacientët kanë një shërbim shumë më të mirë shëndetësor.