Arbëri

Peja e Rugova ende pa infrastrukturë për kamping-turistët

Në listën e ofertave të shumta turistike në Pejë dhe trevën e Rugovës, ende mungojnë hapësirat e posaçme për turistë që preferojnë kampingun në natyrë me shatorre apo makina kampingu. Nga Komuna e Pejës, deri tash nuk është realizuar ndonjë projekt që kjo ofertë të shtohet për turistë, por as sektori privat nuk ka treguar interesim që me vetiniciativë të ofrojnë këtë mundësi adhuruesve të këtij lloji të turizmi, me gjithë infrastrukturën e nevojshme që kërkojnë këto hapësira për kampingje dhe auto-kampingje, shkruan sot Koha Ditore.

Kërkesat po shtohen nga viti në vit, sidomos gjatë sezonit të verës nga vizitorët për kampingje me automjete dhe shatorre. Mungesa e kësaj oferte që kërkon infrastrukturë me rrjetin e rrymës, ujin, kanalizimet dhe infrastrukturën tjetër përcjellëse të kampingjeve, po i detyron bizneset në Rugovë të improvizojnë parkingjet e veta për auto-kampe.

Agron Nikçi, pronar i një biznesi hotelier në Rugovë, tregon se nevoja dhe kërkesat për kamping dhe autokamping janë duke u shtuar.

“Ka nevojë për auto-kampingje, sepse ka kërkesa nga turistët. Ne si biznese brenda kapaciteteve që i kemi, shpeshherë ju kemi ofruar shërbime falas turistëve, duke ju mundësuar atyre të qëndrojnë me automjetet e tyre në parkingjet e bizneseve, ku ju është dhënë falas uji dhe rryma, e ne si biznese kemi pasur përfitimin tonë pasi ata janë ushqyer nëpër restorantet që u kanë ofruar ato shërbime falas”, thotë Nikçi.

(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)