Suspendohet komandanti i Policisë në Gjakovë dhe pesë zyrtarë të tjerë policorë

Inspektorati i Policisë konfirmon suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë në Gjakovë

08 August 2019 17:10
18:12

Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka pranuar disa informacione nga Avokati i Popullit lidhur me dyshimet për tejkalim të autorizimeve policore respektivisht keqtrajtim nga disa zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Gjakovë.

Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së pas pranimit të informacionit kanë ndërmarrë veprime hetimore në konsultim me prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime hetimore dhe sigurimin e dëshmive të ndryshme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.

“Pas mbledhjes së informacioneve nga hetuesit në konsultim me prokurorinë kompetente, Inspektorati Policor ka hapur rast penal lidhur me këtë çështje me dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, në përputhje me ligjin e IPK-së si pjesë e procedurës hetimore Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e gjashtë zyrtarëve policorë të Stacionit Policor të Gjakovës, një major, një kapiten, një rreshter dhe tre zyrtarë policorë, deri në përfundim të këtij hetimi penal.

17:10

Suspendohet komandanti i Policisë në Gjakovë dhe pesë zyrtarë të tjerë policorë

Komandanti i Stacionit Policorë në Regjionin e Gjakovës, Kristë Gjokaj dhe pesë zyrtarë të tjerë janë suspenduar nga puna.

Një gjë të tillë për gazetën Koha Ditore, e ka konfirmuar drejtori i përgjithshëm i Policisë se Kosovës, Rashit Qalaj.

Sipas tij një gjë të tillë e kanë bërë me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Sipas burimeve të gazetës, hetimi i IPK-së në lidhje me këta zyrtarë ka të bëjë me një rast të një keqtrajtimi të një qytetari.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme