Fillon ndërtimi i shkollës në fshatin Dobërdelan të Suharekës

Fillon ndërtimi i shkollës në fshatin Dobërdelan të Suharekës

25 July 2019 16:12

Mbi 500 mijë euro do të kushtojë ndërtimi i shkollës fillore "28 Nëntori" në Dobërdelan të Suharekës, ndërtimi i së cilës do të financohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Me rastin e vënies së gurthemelit u tha se kjo shkollë e re do të ndikojë që nxënësit të kenë kushte më të mira për mësim.

Në fillimin e ndërtimit të kësaj shkolle ka marrë pjesë zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës Fatmir Limaj, i cili tha se Kosova po ia kthen një borxh Dobërdelanit dhe Suharekës.

"Kosova po ia kthen një borxh të madh Dobërdelanit dhe Suharekës. Jemi në një fshat që ka një histori të jashtëzakonshme të veprimtarisë kombëtare, e intelektuale. Në kohë më të vështira është një fshat ku shtëpi për shtëpi kanë qenë çerdhe e lirisë së Kosovës, në shërbim të Kosovës. Nuk ka atdhetar i vendit tonë që nuk ka lëvizur nëpër këto shtëpia ku jemi sot këtu, këto familje kanë hapur dyert viteve të 50, 60, 70 deri te lufta çlirimtare. Shteti i Kosovës ka pasur një obligim që duke investuar këtu t’ua bëjë një shërbim fëmijëve, mësuesve, arsimtarëve, intelektualëve", tha ai.

Limaj tha se do të mbeten të përkushtuar për të ofruar kushte sa më të mira për të gjithë nxënësit e vendit.

ndihem i nderuar që së bashku me kolegët jemi këtu dhe po e kryejmë një borxh ndaj këtij fshati. Do të ndërtohet një shkollë, e cila kushton mbi 500 mijë euro dhe besoj. Jam i bindur që përfundimisht do t'i plotësojë nevojat dhe kërkesat e këtij fshati dhe fëmijët e këtij fshati do të kenë standarde më të larta të shkollimit. Me shpresën se këtu do të vazhdojnë të dalin sa më shumë djem e vajza që i shërbejnë vendit të tyre", tha ai.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, deklaroi se me këtë shkollë të re nxënësit do të kenë kushte më të mira për mësim.

"Kjo sot është shkolla e dytë, është një gëzim në komunën tonë, shkolla e dytë që po fillon në fshatin Dobërdelan. Shpreh rastin t’i falënderoj qytetarët për punën dhe angazhimin para dje gjatë luftës, t'i falënderoj edhe për infrastrukturën që kanë dhënë para nga xhepi që kanë ndërtuar pas luftës. Kështu që, sot Suhareka feston", tha ai.

Ndërkaq kryetari i fshatit Dobërdelan, Hysni Gallopeni, e ka quajtur lajm të mirë fillimin e ndërtimit të kësaj shkolle.

"Jemi shumë të gëzuar sot që e kemi bërë gurthemelin e shkollës së re, që 10 vjet e kemi dorëzuar projektin në ministri, Kuvend të Komunës dhe sot falë këtyre ne arritëm ta bëjmë realizimin e këtij projekti", u shpreh ai.

Përveç në Dobërdelan, sot edhe në Vraniq të Suharekës ka filluar ndërtimi i shkollës së re./Ksp/

Komentet

Shto koment

Të ngjashme