Arbëri

VV: Të rinjtë mitrovicas kanë nevojë për punë, jo për një universitet pa cilësi

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar kryeministrin Ramush Haradinaj për mos investime në Trepçë.

Sipas tyre, të rinjtë mitrovicas nuk ndihmohen nga një universitet me cilësi të dobët sepse ata kanë nevojë për punë.

“Të rejat e të rinjtë e Mitrovicës së varfëruar nuk i ndihmon një universitet me cilësi të dobët. Ata kanë nevojë për punë. Por qeveria Haradinaj nuk e do punën, prandaj nuk e rigjallëron Trepçën”, thuhet në deklaratë.

Vetëvendosje përmes një grafike shpjegon se Qeveria ka investuar në vitin 2018 2,905,398 euro dhe në vitin 2019 4,788,969 euro në një universitet pa cilësi dhe 0 euro në Trepçë.

“Haradinaj nuk e ka prioritet as zhvillimin ekonomik e as arsimin. Ai ankohet se Mitrovica nuk ka punë, prandaj nuk duhet mbyllur universiteti. Por Universiteti i Mitrovicës ka patur cilësi vetëm kur ka prodhuar kuadro për Trepçën, ndërkohë tash ka 0 investime në Trepçë dhe niveli i arsimit ka rënë nën 0”, vijon deklarata.