Arbëri

Bytyqi thotë se “po realizohen premtimet për kushte sa më të mira në arsim”

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në vënien e gurëthemelit të sallës së edukatës fizike në shkollën “Haxhi Hoti”, në Rogovë të Hasit.

Me këtë rast Bytyqi ka shprehur kënaqësinë se Ministria e Arsimit po realizon premtimet e dhëna për kushte më të mira në arsim.

“Është kënaqësi kur realizohen premtimet e dhëna për kushte më të mira në arsim. Një vit më parë isha për vizitë në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Haxhi Hoti” në Rogovë të Gjakovës, ku dhe isha zotuar publikisht se shumë shpejt ketë shkollë do ta bëjmë më sallë të sporteve”, tha ai, transmeton rtk.

Bytyqi, këtë zotim po e realizon një vit pas dhënies së premtimit.

“Sot, një vit më pas, bashkë me deputetin e zonës Veton Berisha, zëvendësministrin Artan Berisha, kreun e Nismës në Gjakovë, Fazli Hoxha dhe drejtues tjerë të komunës së Gjakovës, kemi vënë gurëthemelin e sallës së edukatës fizike në shkollën që me krenari e mban emrin e dëshmorit Haxhi Hoti”, tha ai,

Ministri Bytyqi ndër të tjera u shpreh se nxënësit meritojnë që t’u krijohen kushte sa më të mira.

“Ndihem i nderuar dhe shumë i kënaqur për jetësimin e një premtimi të dhënë një vit më parë, mbi të gjitha i kënaqur për faktin se nxënësit meritojnë që tu krijojmë kushte sa më të mira, që të përjetojnë standarde si gjithë të rinjtë tjerë”, tha ai.

Ai në fund premtoj se Ministria e Arsimit do të realizojë edhe shumë projekte të reja.

“Ne si Ministri e Arsimit, zotohemi që të vëmë sa më shumë gurëthemele të shkollave dhe sallave të reja me standarde perëndimore", përfundoi Bytyqi.