Në Mitrovicë nis ndërtimi i xhamisë që kundërshtohej nga banorët

Në Mitrovicë nis ndërtimi i xhamisë që kundërshtohej nga banorët

12 July 2019 17:16

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka njoftuar se është vënë gurthemeli i xhamisë në fshatin Shupkovc.

Ndonëse ndërtimi i xhamisë ishte kundërshtuar nga banorët e lagjes “Sylani”, i pari i Mitrovicës ka njoftuar se sot ka filluar ndërtimi i saj.

“Me iniciativë të qytetarëve dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, sot kemi vënë gurthemelin e xhamisë në fshatin Shupkovc, e cila do të sjellë vetëm paqe dhe harmoni për banorët e këtij fshati”, ka shkruar Bahtiri.

Bahtiri thotë se, xhamitë janë vende ku mësohet drejtësia, dashuria, mëshira dhe respekti, andaj sipas tij, ndërtimi i secilës xhami që është e nevojshme duhet të mbështetet.

Banorët e lagjes ‘Sylani’ në Mitrovicë të Jugut, që nga viti 2017, janë duke kundërshtuar ndërtimin e një xhamie në këtë lagje, nga persona, të cilët sipas tyre, janë jokompetentë.

Për të kundërshtuar ndërtimin e xhamisë, banorët kanë bërë edhe një peticion, derisa kanë thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë në ndërtimin e një xhamie në një lokacion tjetër, por në bashkëpunim me BIK-un dhe komunën, e jo me persona që nuk përfaqësojnë institucionet.

Lexo edhe: Banorët në Mitrovicë duan shkollë, jo xhami

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme