Arbëri

Askush s`e merr përgjegjësinë për reklamat pa leje në Grykë të Rugovës

Shkëmbinjtë në Grykë të Rugovës dhe të dy anët përgjatë tërë rrugës së Rugovës tash e sa vite ngjajnë sikur të ishin mure të ndonjë panairi të reklamave, prej reklamave të vendosura nga kompanitë dhe firma të ndryshme.

Sidomos reklamat e vendosura nëpër shkëmbinj po u japin një shëmti bukurive në Grykë. Të gjitha këto reklama janë ilegalisht të vendosura, e kohën e fundit kanë nisur të vendosen edhe tabela elektronike për reklama (bildborde). Se a kanë leje gjithë ata që i kanë “dekoruar” shkëmbinjtë dhe rrugën e Rugovës me reklama, drejtori i Inspektoratit Komunal, Leotrim Murtezaj, nuk ka dijeni, shkruan sot Koha Ditore.

“Unë nuk kam qenë që një kohë të gjatë andej kah Gryka e Rugovës dhe nuk i kam pa reklamat që janë vendosur, si dhe nuk kam asnjë informatë a kanë leje a jo për vendosjen e reklamave. Por nëse inspektorët komunalë kanë qenë dhe kanë inspektuar andej, me siguri kanë marrë masa të duhura”, thotë Murtezaj, për reklamat që kanë nisur të vendosen vite më parë dhe vazhdojnë edhe sot të vendosen. Madje drejtori i Inspektoratit nuk ka njohuri se kush është kompetent për lëshimin e lejeve për vendosjen e reklamave.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)