Arbëri

Gratë e Kamenicës udhëtojnë deri në dy orë për të lindur fëmijët, shpesh lindjet bëhen edhe rrugës

Rreth dy orë duhet të udhëtojnë banorët e fshatrave të Komunës së Kamenicës, për të arritur në Gjilan ku duhet të marrin shërbimet shëndetësore gjinekologjike. Kjo sepse në Kamenicë tash e katër vjet nuk ka gjinekolog. Në Komunë thonë se kanë hapur konkurs katër herë por nuk kanë arritur të punësojnë një gjinekolog. Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë shumë prej gjinekologëve zgjedhin të punojnë në kujdesin dytësor e tretësor, e më pak në Qendra të Mjekësisë Familjare.

Shërbimi i maternitetit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kamenicë është jashtë funksionit, meqë katër vjet më parë gjinekologu i vetëm që ishte, ka dalë në pension.

Aktualisht nuk ka gjinekolog për të dhënë shërbimet në ketë qendër.

Nazlie Bugaqka, qytetare, thotë se banorët maltretohen në mungesë të gjinekologjisë këtu, të detyruar të shkojnë në Gjilan për të marrë shërbime.

Ajo thotë, se si pasojë e kësaj mungese, lindjen ndodhin edhe rrugës.

“Shumë mungon gjinekologjia këtu, a po e sheh po lindin kah mos. Shumë maltretim, këtu duhet me qenë dikush, për ne është shumë e vështirë, apo e sheh çka nuk ndodh, shumë vështirë”, thotë ajo.

Enita Berisha, një tjetër qytetare thotë se gjinekologjia në këtë komunë është shumë e nevojshme.

“Është shumë e nevojshme, është një mungesë shumë e madhe që qytetarët e Kamenicës e ndjenjë jashtëzakonisht shumë”, thotë ajo.

Njësoj mendon edhe Hatixhe Morina, e cila thekson se Kamenica është territor i gjerë, diçka që e bënë edhe më të nevojshëm këtë shërbim në këtë zonë.

“Nuk është rreth i ngushtë territori i Kamenicës, sigurisht një hapësirë e tillë ka nevojë për një gjinekologji këtu”, thotë ajo.

Kjo situatë është shqetësuese edhe për kryetarin e Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Ai thotë se janë duke lobuar edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, të kryeministri dhe organe të tjera, që kjo komunë të ofrojë shërbime gjinekologjike, meqë siç thotë ai, nuk duhet të udhëtohet aq larg për rreth dy orë për të marrë ato shërbime në Gjilan.

“E kemi bërë diku katër herë konkursin për gjinekolog, nuk ka pas të interesuar e tash kemi filluar me komuniku me shoqatën e gjinekologëve dhe jemi të interesuar me dhënë edhe një shtesë si komunë, që me qenë më atraktive për një gjinekolog me ardh me i kry këto kontrolle shëndetësore”, thotë ai.

E për ketë, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se në disa komuna ka mungesë, sepse gjinekologët parapëlqejnë të punojnë më shumë në kujdesin dytësor e tretësor, e jo në Qendra të Mjekësisë Familjare.

“Me Udhëzimin administrativ për organizimin e Kujdesit parësor Shëndetësor në Komuna, QKMF-të kanë të drejtë të kenë të punësuar gjinekolog. Punësimet në QKMF janë kompetenca të Komunave përkatësisht drejtorive komunale për shëndetësi dhe mirëqenie sociale. MSh është në favor të asaj që maternitetet ekzistuese në QKMF në komuna të fuqizohen dhe mbështet komunat në përpjekjet e tyre për t'i mbajtur ato në shërbim të pacienteve në nevojë. E vërteta është se në disa komuna ka mungesë, për shkak se gjinekologet parapëlqejnë ose anojnë të punojnë më shumë në Dytësor e Tretësor e më pak në KPSH (QKMF)”, ka thënë Faik Hoti i Ministrisë së Shëndetësisë për KosovaPress.

E kryetarja e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Besa Baftiu thotë se e kanë ngritur këtë problem shumë herë të ministri i Shëndetësisë, por që ende nuk është ndërmarrë asgjë.

Ajo thotë se kjo çështje duhet të zgjidhet, sidomos në vendet që kanë largësi më të madhe me komunat ku banorët i marrin shërbimet gjinekologjike, siç është rasti me Kamenicën.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet, ne po kërkojmë nga ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili që të ketë parasysh këtë sepse komunave siç është Kamenica e cila është 30 kilometra në largësi prej komunës së Gjilanit, që Gjilani është spital në të cilin kryhen lindjet, është një largësi tejet e madhe për ato nëna, për ato gra të cilat duhet të marrin shërbime gjinekologjike”, thotë ajo.

Ndërkohë, për Komunën e Kamenicës, është lajmëruar një organizatë e cila është e gatshme të ndihmojë në rregullimin e hapësirës ku do të mund të kryheshin shërbimet gjinekologjike, nëse arrihet të gjendet gjinekologu.