Komuna e Ferizajt ka hapur zyrtarisht qendrën e Inovacionit dhe ndërmarrësish, ndërkaq në inaugurimin e saj ishte i pranishëm Ministri i Inovacionit dhe Ndërrmarrësisë Besim Beqaj dhe Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli.
Ministri Beqaj ka thënë se ky investim është një arritje e madhe për qytetarët e Ferizajt, në veçanti për rininë sepse po hapet një dritare e së ardhmes, që garanton perspektivë zhvillimore ekonomike dhe sociale në Qytetin e Ferizajt dhe rrethinën, raporton Koha Ditore.
“Qendra siguron një mjedis dinamik, që do të fokusohet në inkubim, trajnime, hulumtim dhe zhvillim, mentorim dhe konsulencë, hapësirë e përbashkët e punës, takime dhe konferenca, B2B dhe projekte donatorësh. Konkurrueshmëria dhe qëndrueshmëria e ekonomisë lokale do të bazohet në gjenerimin e ideve të reja inovative, koordinimit të mirëfilltë të akademisë dhe sektorit privat, si dhe rritjen e kompetencës profesionale”, ka thënë ai.
Kadri Veseli kryetar i Kuvendit të Kosovës, ka thënë se pas përfundimit të autostradave moderne, si bazë infrastrukturore për zhvillim ekonomik, Kosova tani do t’i orientojë qindra miliona euro investime për zhvillimin ekonomik, nëpërmjet mbështetjes së ndërmarrësve dhe inovatorëve të rinj në Kosovë.
“Tani do t’i përfundojmë autostradat, infrastrukturë kjo e cila ka ngjallur debat, por që ka qenë e domosdoshme për zhvillimin e vendit tonë. Por tani është pjesa më thelbësore. Qindra miliona euro do të orientohen kah inovacioni dhe ndërmarrësia, kah njerëzit që e duan vendin dhe duan të punojnë për vendin. Kah ata që kanë dëshirën ta përmirësojnë jetën, jo vetëm të familjeve të tyre, por edhe të bashkëqytetarëve. Këtu do të jetë edhe roli ynë”, theksoi Veseli.
Siç bëhet e ditur në komunikatën për media, Veseli u bëri thirrje të rinjve që të kenë më shumë besim në shtetin e tyre, ngase, siç tha ai, ky shtet është i shenjtë. Veseli tha se nuk është koha për debate shterpe, për të treguar se kush është më i fortë dhe më patriot në raport me Serbinë. “Patriotizmi sot është orientimi kah gjërat aktuale, e kjo është perspektiva dhe zhvillimi ekonomik, si dhe dhënia e mundësisë njerëzve punëtorë dhe me ide. Këtë përkrahje do t’u japim nëpërmjet institucioneve tona, duke rritur punësimin dhe të mirat materiale”, theksoi Veseli.
Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu, me këtë rast ka thënë se shkëlqimi i këtij bashkë veprimi është dëshmi kudo në këto mure, kudo në këtë hapësirë. “Vendosmëria në këtë ndërmarrje është fryt i vullnetit të mirë dhe vizionit të përbashkët për ta plotësuar një boshllëk, që nuk mund t’i atribuohej një qendre kaq të zhvilluar ekonomikisht,siç është Ferizaj. Sot, në çdo cep të kësaj hapësire që shtrin lirshëm trupin në 1000 metrat e saja, ëndrra është realizuar në përpikërinë e zotimit, për t’i dhënë frymën dhe shkëlqimin në çdo finesë e pritshmëri të që ushqen kjo ngrehinë”, ka thënë midis të tjerash Aliu.
Rreth kësaj qendre ka reaguar rrjeti i OJQ-ve “Avonet”, për të sqaruar se ky projekt politik mbylli dy sektorë të rëndësishëm të qytetit të Ferizajt, atë të Kulturës dhe Rinisë. Sipas kësaj OJQ-je kjo qendër është inauguruar në ish objektin e Qendrës së Kulturës, i cili objekt është shfrytëzuar nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që nga viti 2011, si dhe komuniteti artistik (grupet kulturore, ansamblet, shoqatat, grupet rinore etj).
“Tashmë stafi i kësaj drejtorie është transferuar në objektin e komunës, me një ambient shumë të vogël që as nuk i plotëson kushtet elementare, ndërsa grupet kulturore pa ndonjë adresë të caktuar. Sikur ekzekutivi i Komunës së Ferizajt do të kishte bërë paraprakisht diskutime publike me qytetarë, e sidomos me komunitetin e artistëve dhe grupeve rinore, për të marr opinione nga njerëz të këtyre fushave, nuk besojmë që do të ishin dakorduar që të lëshojnë objektin e tyre, për institucion i ri, i quajtur Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë”, thuhet në komunikatën e kësaj OJQ-je.
Sipas tyre që nga fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti, është vërejtur një s’behje e aktiviteteve kulturore nga Sektori i Kulturës, pikërisht në mungesë të hapësirave për të funksionuar. Po ashtu edhe tek sektori i rinisë, (katër vjet pa qendër rinore) kanë ngecur shumë projekte pa u realizuar në mungesë objekti, ose është detyruar të përshtatet në objekte private jo institucionale.

“Kujtojmë se këta dy sektorë, kanë qenë të dalluar në Republikën e Kosovës me aktiviteteve kulturore e rinore. Ky reagim nuk duhet të tingëllojë kundër themelimit të Qendrës së Inovacionit, por duam të themi me plotë bindje, se sikur ekzekutivi komunal do të kishte realizuar diskutime publike me komunitetin e artistave, të rinisë dhe sportit, por edhe me shoqërinë civile (OJQ, media), jemi më se të sigurt se do të kishin rrjedhur shumë propozime tjera konstruktive lidhur me idenë se ku do të duhej të vendosej ky institucion i ri, ashtu si edhe është përfolur kohë pas kohe si opsion hapësira në Universitetin e Shkencave të Aplikuara”, thuhet më tej në komunikatë.
AVONET, kërkon nga kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu, që projektet e tilla, domosdo të bëhen publike që vendimmarrja të jetë në harmoni me interesin e përgjithshëm, e jo për interesat e tyre politike.