Arbëri

Vonesa e Drejtorisë së Arsimit lë nxënësit për një muaj pa mësues në fshatin Vitomiricë

Foto: Koha

Nxënësit e klasës 3/1 në shkollën fillore “7 Shtatori” në fshatin Vitomiricë të Pejës qe një muaj kanë mbetur pa mësues.

Mësuesi që deri tash ka mësuar këtë paralele ka dalë në pension më 10 maj. Prej kësaj dite kjo klasë ka mbetur pa mësues të rregullt dhe kjo ka shkaktuar shqetësim të prindërve, shkruan sot “Koha Ditore”. Muhamet Aliu, prindi që ka djalin në këtë klasë, tregon se ai dhe prindërit e tjerë janë të mllefosur pse Drejtoria e Arsimit nuk e ka siguruar mësuesin me kohë.

“Qe një muaj fëmijët janë pa mësues. Herë shkon një mësuese e parashkollorëve nga një klasë tjetër e u mban mësim e herë zëvendësdrejtori i shkollës. E mua si prind po më duhet në punë me mbajt dertin e fëmijës a mos po më del fëmija në rrugë, a mos po hidhet nga kati i dytë ku e kanë klasën... mendja të shkon gjithkah kur e di që fëmija nuk e ka mësuesin në klasë, i cili është si prind”, shpreh shqetësimet e tij Aliu. Ai tregon se fëmijët kanë mbajtur mësim, por, sipas tij, ai nuk është mësim, kur shkon e u mban mësim herë njëri e herë tjetri.

“Ai nuk është kurrfarë rregulli i mësimit. Shkojnë veç sa mos me i lënë nxënësit më dalë jashtë. Nuk po them se ata nuk janë mësues të mirë, por duhet me ditë fëmija kënd e ka mësues dhe me zhvillu mësimin si duhet”, ankohet Aliu, pse e ka lënë kaq gjatë klasën pa mësues Drejtoria e Arsimit, prej së cilës, siç thotë ai, qe një muaj kanë dëgjuar premtime se mësuesi vjen këtë të hënë apo të hënën tjetër... jo të martën, jo sot, jo nesër.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)