Arbëri

Shënohet Dita e dëshmorëve të Mitrovicës

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Safet Kamberi, drejtorë komunal, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe dhe kanë vendos buqete me lule, në varrezat e dëshmorëve në Shipol, me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Mitrovicës.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se me këtë rast u vlerësua lart kontributi e jashtëzakonshëm të 76 dëshmorëve nga komuna e Mitrovicës, të rënë në luftën e fundit për lirinë dhe pavarësinë e vendit, transmeton Koha.net.

Bahtiri në fjalën e tij, tha se nderimi më i madh për këta dëshmorë, është puna e përbashkët për ndërtimin e një Kosovë, ku liria e arritur me shumë mund dhe sakrificë nuk guxon të keqpërdoret.

“Sot është një ditë e cila duhet të na bëjë të mendojmë se a jemi duke bërë mjaftueshëm për të gjithë dëshmorët të cilët u flijuan duke dhënë jetën e tyre për të realizuar aspiratat shekullore të popullit tonë, për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë. Padyshim që politikanët duhet të bëjnë më shumë që të realizohet ideali dhe amaneti i dëshmorëve tanë, dhe vetëm të bashkuar politikisht vendi ynë mund të ketë një të ardhme më të mirë. Në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Mitrovicës ju bëjë thirrje të gjithë spektrit politikë që të kenë një qëndrim dhe një vizion për një të ardhme më të ndritur për popullin dhe vendin tonë. Vendi ynë ka pasuri të bollshme për të ndërtuar një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht, me vende punë për të gjithë ”, tha Bahtiri.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e shënimit të Ditës së Dëshmorëve të UÇK-së të Komunës së Mitrovicës, tha se pa Mitrovicën nuk do të bëhej kombi shqiptar dhe nuk do të bëhej as Kosova, liria, shteti i pavarur dhe sovran i saj.

Po ashtu ai tha se njerëzit e këtij qyteti i gjen në çdo faqe të historisë tonë kombëtare.

Kurse gjeneral brigade Zymer Halimi, më tutje ka lexuar emrat e dëshmorëve të dekoruar nga Presidenti Thaçi me urdhrin “Hero i Kosovës” për trimëri dhe sakrificë të treguar në luftën e fundit në Kosovë.

Disa nga dëshmorët e dekoruar me titullin “Hero i Kosovës” ishin: Afrim Hajrizi, Avni Dibrani, Gazmend Baliu, Isë Merrnica, Muhamet Gashi, Nysret Musa, Sabedin Prekazi, Bislim Bislimi.

Ky përvjetor u organizua nga komuna e Mitrovicës, përkatësisht nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Agim Bahtiri.