Arbëri

Në Kishnicë, nxënësit ende mësojnë në objektin gjysmë shekullor dedikuar minatorëve

Në këtë gjendje, 140 nxënës nga fshatrat Kishnicë dhe Shushicë, zhvillojnë procesin mësimor.

Objekti që ishte dedikuar për minatorët e minierës së Kishnicës në Komunën e Graçanicës, që nga viti 1966 është duke shërbyer si shkollë për nxënësit e këtyre fshatrave, raporton KTV.

Nxënësit dhe mësimdhënësit të cilët përballen çdo ditë me këtë gjendje, tregojnë se është e vështirë ta zhvillojnë procesin mësimor në mungesë të kushteve elementare.

Ministria e Arsimit, në vitin 2015, kishte bartur disa projekte nën menaxhimin e Ministrisë së Administratës Publike, e një ndër projektet ka qenë edhe ndërtimi i objektit të kësaj shkolle.

Pas shumë kërkesave dhe ankesave në Ministrinë e Arsimit, në vitin 2016 kishte filluar ndërtimi i objektit të ri, por që ishte ndërprerë shkaku i neglizhencës nga ana e kompanisë kontraktuese.

Në një përgjigje me shkrim, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë thënë që kanë kërkuar raport të detajuar nga Ministria e Administratës Publike, por nuk kanë marrë përgjigje.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Administratës Publike ka thënë që në qershor do të përfundojnë të gjitha punimet.

Drejtori i kësaj shkolle, Vezir Bytyçi, thotë se nëse në shtator nuk do të mund ta shfrytëzojnë objektin e ri dhe do ta bojkotojnë mësimin.

Vlera e përgjithshme e gjithë projektit të shkollës në fshatin Kishnicë është rreth 950 mijë euro.

Në shtator të 2014-s, shkaku i kushteve jo të mira në këtë shkollë, është bojkotuar mësimi për 3 javë.