Arbëri

Ka 6 vjet që në Erenik nxirret zhavorr pa autorizim, Ministria e Mjedisit kërcënon me padi

Tridhjetë shtëpi në fshatin Nivokaz të Gjakovës, rrezikojnë të mbesin pa ujë të pijes.

Lumi Erenik, ujin e të cilit këta banorë e shfrytëzojnë për pije, po shteret nga marrja e zhavorrit nga persona të paautorizuar.

Banorët, të cilët nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, nga frika se personat që nxjerrin zhavorr në këtë lumë mund t’u bëjnë ndonjë dëm, thonë se ka 6 vjet që në mënyrë të pakontrolluar po nxirret zhavorr.

Në pamjet që ka siguruar “Kohavisioni”, vërehet qartë se si po nxirret zhavorri madje edhe gjatë ditës, pa u penguar nga askush.

Image

Dëmet nga nxjerrja e zhavorrit, vërehen edhe në shtratin e tij, dhe rrjedha tashmë veçse është zvogëluar.

Banorët i kanë thënë KTV-së se përveç kësaj, po të njëjtit që nxjerrin zhavorr, po hedhin edhe mbetje të ngurta në lumë.

Edhe tokat që dikur punoheshin, sipas tyre, kanë mbetur të pashfrytëzuara.

Në Ministrinë e Mjedisit, shkurt kanë thënë se janë duke inspektuar terrenin dhe po i dënojnë kompanitë që nxjerrin zhavorr ilegalisht.

“Në të gjitha rastet e seperuesve dhe guroreve në Kosovë, Inspektorati i MMPH-së, bashkë me Policinë për krime ekonomike, si dhe inspektoratet e KPMM-së dhe AKP-së, janë duke dalë vazhdimisht përgjatë lumenjve e brigjeve të lumenjve dhe në çdo parregullsi që hasin, janë duke ua vënë shiritat. Kështu, pos kësaj kanë bërë edhe inicime në gjykata, duke përfshirë edhe territorin e Komunës së Gjakovës. Kështu do të veprohet edhe në të ardhmen ndaj çdo operatori, qoftë ky person juridik apo person fizik”, thuhet në përgjigjen nga Ministria.

“Kohavisioni” ka folur edhe me pronarin e kompanisë “Shala”, Myrt Shala, i cili ka mohuar se kompania e tij është duke nxjerrë zhavorr në lumin Erenik.

Televizioni ka tentuar të flasë edhe me pronarët e kompanisë “Tofaj”, që sipas banorëve, edhe kjo kompani dyshohet se po nxjerr zhavorr në lumin Erenik, por ata nuk kanë qenë të qasshëm.