Arbëri

Pozita e opozita në Ferizaj kundërshtojnë ndërtimin e rrugës Ferizaj-Sllakoc

Rruga që lidh qytetin e Ferizajt me disa fshatra të Komunës së Gjilanit, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar rreth 2 milionë e 800 mijë euro.

Kontrata u nënshkrua në vitin 2017 në mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe qeverisjes së atëhershme komunale të udhëhequr nga Muharrem Svarqa, raporton KTV.

Lëvizja Vetëvendosje dega në Ferizaj, ka ngritur shqetësim lidhur me paratë e shpenzuara për këtë rrugë, që sipas tyre, është panevojshme.

Sipas VV-së, qëllimi i ndërtimit të kësaj rruge është që në të ardhmen pushtetarët dhe individë të caktuar të hapin hotele e restorante në këtë zonë malore.

Si rrallëherë, pozitë e opozitë janë të pajtimit që këto para do të mund të shfrytëzoheshin në rrugë të tjera.

E ish-kryetari i komunës së Ferizajt nga LDK-ja nëpërmjet telefonit, ka thënë që ajo rrugë është në kompetenca të Ministrisë së Infrastrukturës dhe se nuk ka asnjë interes personal, por vetëm interesa për zhvillim e turizmit.

KTV-ja ka kontaktuar zyrtarët të Ministrisë së Infrastrukturës, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Kjo rrugë lidh qytetin e Ferizajt me fshatrat Slakoc dhe Kishnapole të Komunës së Gjilanit.