Arbëri

Komuna e Podujevës shpenzoi mbi 16 mijë € për telefonata gjatë 2018-ës, njëjtë po vazhdon edhe sivjet

Rreth 16 mijë euro kanë shpenzuar për shërbime me telefon gjatë vitit 2018, zyrtarë të Komunës së Podujevës.

Në raportin e siguruar nga KTV-ja, shihet se 10 mijë e 209 euro janë të regjistruara si shpenzime telefonike.

Ndërsa, 5 mijë e 632 euro të tjera janë paraqitur si shpenzime të telefonisë mobile.

Këshilltarët komunalë nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët edhe e kanë ngritur këtë çështje në Kuvendin Komunal, i shohin shqetësuese shpenzimet e tilla nga ana e pushtetit.

Ndërkaq, drejtori i Financave në Komunën e Podujevës, Isuf Latifi, përmes e-mail-it, është arsyetuar me numrin e madh të të punësuarve në komunë.

Më tutje, ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje po drejton akuza të tilla për arsye politike dhe se asnjëherë nuk është diskutuar ky raport në Kuvendin Komunal.

“Komuna numëron afër 2.000 të punësuar. Shpenzimet telefonike janë shpenzime zyrtare për të funksionuar normalisht Administrata. Në këto shpenzime hyn GRPS për nevojat e Zyrës së Tatimit në Pronë, Zyrës së Kadastrës dhe Gjeodezisë. Afër njëzet shkolla kanë pako të internetit dhe të telefonit. Drejtoria e Administratës, e Arsimit dhe Shëndetësisë së bashku me Zyrën e Personelit, shfrytëzojnë telefonat për aplikuesit në konkurse etj. Këto janë vetëm disa nga fushat ku ka më shumë shpenzime, mirëpo nuk i përmenda edhe funksionet tjera. Mendoj se opozita i përdor për qëllime politike këto shifra, sepse kur u diskutua ky raport në Kuvendin Komunal, nuk i kanë shprehur këto akuza”, ka thënë Latifi.

Shpenzimet në telefon, zyrtarët e Podujevës po i vazhdojnë edhe këtë vit.

Sipas raportit për shpenzimet tremujore, kryetari i Komunës, Agim Veliu, së bashku me kabinetin e tij, kanë shpenzuar rreth 5 mijë euro vetëm për shërbime telefonike.