Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes nga pickimi i rriqrave. Ky institut ka njoftuar se në vatrat endemike ka filluar thumbimi i rriqrave, me ç’rast numri më i madh i të pickuarve është evidentuar në Komunën e Malishevës, ku janë regjistruar 120 raste prej mbi 250 rasteve në zonat endemike. Zyrtarët e Komunës së Malishevës kanë konfirmuar numrin prej 120 rasteve të të pickuarve, por kanë theksuar se deri më tani asnjëri prej këtyre rasteve nuk është prekur nga virusi i Etheve Hemorragjike Krime Kongo (EHKK).
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur se rriqrat kanë filluar të pickojnë dhe ka kërkuar nga qytetarët që t’u përmbahen rekomandimeve të Institutit për t’u mbrojtur nga EHKK, shkruan sot Koha Ditore.
“Në vatrat endemike ka filluar pickimi i rriqrave që është paralajmërimi i parë për mundësinë e shfaqjes së sëmundjes. Numri i të pickuarve ka arritur në 120 në Komunën e Malishevës, 76 raste në Komunën e Suharekës, 33 raste në Komunën e Klinës dhe 28 raste në Komunën e Rahovecit, si pasojë e qëndrimit në livadhe të pakositura, shkurre dhe stalla dhe veshmbathjes joadekuate”, shkruan në njoftimin e IKShPK-së.
Ky Institut ka theksuar se ekipet profesionale tashmë po bëjnë repelimin e kafshëve.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)