Arbëri

Shtimja shpenzoi 16.71 për qind të buxhetit për tre muaj

Me shumicë të votave dhe me vërejtje të opozitës, Kuvendi Komunal i Shtimes ka miratuar buxhetin e shpenzuar për periudhën janar-mars të këtij viti. Kjo komunë gjatë kësaj periudhe tremujore ka shpenzuar vetëm 16.71 për qind nga buxheti total i vitit 2019, apo një milion e 213 mijë euro, nga 7 milionë e 257 mijë sa ishin të planifikuar për këtë vit.

Këshilltarët nga radhët e opozitës gjatë debatit të tyre kanë akuzuar Komunën për keqmenaxhim të parasë publike, derisa buxheti është alokuar me kohë, mirëpo nuk është shpenzuar sipas planifikimit.

Në anën tjetër zyrtarët komunalë janë arsyetuar se kjo çështje ka ndodhur për shkak të kohëzgjatjeve të procedurave të prokurimit, ndërkohë që gjatë muajve në vazhdim kanë thënë se do të stabilizohet kjo çështje, dhe deri në fund të vitit synohet të shpenzohet 100 për qind buxheti i planifikuar. Naim Zejna, këshilltar në KK të Shtimes nga radhët e LDK-së, me këtë rast ka thënë se ekzekutivit të Komunës duhet t’ia blejnë nga një palë mbathje për të vrapuar me qëllim që buxheti të shpenzohej sipas planifikimit.

“Neve po na brengos fakti se Komuna nuk po mund t’i shpenzojë mjetet e alokuara. Në të vërtetë, kjo qeverisje ka përvojë, sepse nuk është për herë të parë në pushtet, mirëpo t’i kesh paratë dhe të arrish t’i shpenzosh, kjo është një mangësi e madhe”, ka thënë Zejna.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)