Arbëri

Një ditë pa heqjen e mbeturinave, Prishtina në kollaps

Prishtina ka qenë mbushur me mbeturina mëngjesin e sotëm.

Gjatë orëve të paradites, kamionët e kompanisë “Pastrimi”, në asnjë pikë, nuk kanë grumbulluar mbeturina.

Në kohën e rritjes së temperaturave, për qytetarët, moslargimi i mbeturinave shkakton kundërmim e paraqet rrezik për sëmundje të ndryshme, raporton KTV.

Mbeturinat kanë nisur të largohen vetëm gjatë orëve të pasdites, kur “Pastrimi” njoftoi se kompania për Menaxhimin e deponive ka zhbllokuar xhirollogaritë e saj.

Ajo ka thënë se shikon mundësinë e riprogramimit të borxhit, derisa ka premtuar angazhim që një situatë e tillë të mos përsëritet.

“Po ashtu, njoftojmë qytetarët se do të mundohemi që një gjë e tillë nuk do të përsëritet, pasi që do ta shikojmë mundësinë e riprogramimit të borxhit me Kompaninë për menaxhim të deponive të Kosovës, KMDK-në. Kompania ‘Pastrimi’, falënderon gjithë qytetarët që na mirëkuptuan gjatë këtyre ditëve, ndërsa ne si kompani do të mundohemi me të gjitha kapacitetet tona t’u ofrojmë shërbim sa më të mirë”, ka thënë “Pastrimi” në një përgjigje.

Komuna e Prishtinës i ka huazuar naftë “Pastrimit” për të vazhduar punën, ndërsa kryetari Shpend Ahmeti ka hedhur dyshime se kjo situatë është bërë për arsye politike.

“Nuk ka kuptim që një kompani publike të rrezikojë shëndetin e qindra-mijëra qytetarëve. Po ashtu, nuk ka kuptim që qytetarët në këtë mënyrë, të paguajnë për keqmenaxhimin e kompanisë Pastrimi për shumë vite. Shpresojmë se kjo nuk po bëhet për arsye politike”, ka thënë Ahmeti.

Ndonëse KMDK-ja është nën ombrellën e Qeverisë, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, vetëm ka bërë thirrje për tejkalim të situatës.

Kompania “Pastrimi” i ka borxh KMDK-së mbi 1.4 milion euro, për largimin e mbeturinave nëpër deponitë që i menaxhon kjo e fundit.