Arbëri

Përfituesit e banesave në Lipjan me peticion kundërshtojnë shumën e qirasë

Rreth 20 familje skamnore, të cilat rreth 2 muaj më parë kanë përfituar banesa sociale në Lipjan, po e kundërshtojnë shumën e qirasë, të cilën e ka vendosur komuna sipas ligjeve në fuqi.

Banorët të martën kanë dorëzuar një peticion në komunë me qëllim që qiraja e tyre dhe tatimet ndaj komunës të zvogëlohen. Sipas banorëve, shuma e qirasë për një banesë në vlerë prej 85 eurosh është mjaft e lartë dhe e papërballueshme derisa po mbijetojnë me një social të vetëm në vlerë prej rreth 120 eurosh. Nga ana tjetër, në Komunën e Lipjanit kanë thënë se tashmë kanë pranuar një peticion nga familjet skamnore, të cilat kanë përfituar banesa komunale, mirëpo Komuna do t’i subvencionojë 50 për qind të shumës së qirasë së tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkaq kriteret për vendosjen e taksës së qirasë për banesat e komunës janë të vendosura sipas ligjeve në fuqi nga niveli qendror, ndërkohë që Kuvendi Komunal vetëm e ka zbatuar një procedurë ligjore. Familjet sociale nëpërmjet peticionit kanë falënderuar komisionin vlerësues dhe kryetarin e komunës për shpërndarjen e banesave, mirëpo kanë kërkuar me urgjencë të zbritet vlera e qirasë së tyre.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")