Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovës kanë deponuar një ankesë tek Avokati i Popullit për shkak të pamundësisë për të pasur qasje në dokumente publike të kësaj komune. Siç thuhet në ankesë, të deponuar më 30 mars, deri tash ata asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje në kërkesat për qasje në dokumente publike të Komunës së Fushë-Kosovës. Në një njoftim të kësaj partie paralajmërohet edhe padi ndaj institucionit të Komunës, si hapin tjetër që do ta ndjekin.
“Duke parë neglizhencën dhe mosinteresimin nga ana e drejtorëve për të dhënë llogari për shërbimet të cilat u ofrohen, përkatësisht nuk u ofrohen qytetarëve, jemi detyruar që për disa nga këto çështje të kërkojmë informacion duke shfrytëzuar të drejtën që e garanton Ligji për qasje në dokumente publike”, thuhet në njoftim, shkruan sot Koha Ditore.
“Përkundër faktit që ligji i obligon, një gjë të tillë Ekzekutivi i Fushë-Kosovës ka vazhduar me të njëjtin avaz, të qëndrojë i mbyllur e jotransparent. Prandaj kemi filluar procedurën në Institucionin e Avokatit të Popullit, ashtu siç parashihet me ligj, për të vazhduar më pastaj edhe me deponim të padisë”.
E në ankesën drejtuar Avokatit të Popullit thuhet se më datën 26 korrik 2018 Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Fushë-Kosovë, i ka dërguar 3 kërkesa në Kuvendin Komunal të Fushë-Kosovës në të cilat LVV kërkon nga ky institucion qasje në dokumentet publike si më poshtë: Nga Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë e kanë kërkuar regjistrin e pronës së paluajtshme që e kanë në shfrytëzim dhe posedim dhe Planin Urbanistik të Fushë-Kosovës, ndërsa Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Mjedisit projektin për asfaltimin e rrugës “Pajazit Jashari” në Nakaradë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)