Kosovë

Jezuitët tërhiqen nga udhëheqja e gjimnazit “Loyola” në Prizren

Jezuitët tërhiqen nga udhëheqja e gjimnazit “Loyola” në Prizren

Asociacioni Loyola-Gymnasium (ALG), të hënën, ka njoftuar se ka ardhur deri te ndryshimi i papritur në udhëheqjen e këtij asociacioni. Në vend të drejtorit të deritanishëm, Axel Bodefeld, udhëheqja i është besuar Fadil Hamzajt, i cili është kryetar i Këshillit të Prindërve. Shkarkimi i Bodefeldit prej shumicës së anëtarëve të shoqërisë bartëse të ALG-së gjatë javës së shkuar ka bërë që jezuitët e Austrisë, Gjermanisë dhe Kroacisë të tërhiqen nga ALG-ja.

Sipas njoftimit të ALG-së, gjimnazi Loyola, shkolla fillore dhe projekti Loyola – Tranzit në Prizren e gëzojnë mbështetjen e Shoqërisë Bartëse (Bordit), ndërkohë që e njëjta gjë nuk vlen edhe për projektin e Shkollës së lartë profesionale, që planifikohej të hapej në kuadër të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve në ish-kampin e KFOR-it në Prizren, shkruan sot Koha Ditore.