Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka reaguar në lidhje me shqetësimet dhe frikën e banorëve të fshatit Pouska të Komunës së Prizrenit që ditëve të fundit janë shfaqur si pasojë e dëmtimit të bagëtive dhe mundësisë së ndonjë sulmi në njerëz nga ariu i murrmë.
E, me qellim të parandalimit të ndonjë fatkeqësia ndaj banorëve të fshatit Pouska por edhe ndaj banorëve që jetojnë afër kufirit të Parkut Kombëtar, kjo Drejtori kërkon nga qytetarët që të jenë më të kujdesshëm.
“Prandaj për këtë qëllim kërkojmë nga banorët që në rast se shohin apo hasin në ariun, menjëherë të lajmërojnë Policinë e Kosovës apo zyrtarët e Drejtorisë për Administrimin e Parkut Kombëtare Sharri”, thotë DAPK “Sharri”, raporton Koha.net.
DAPK “Sharri” thotë se me të marrë informatën rreth dëmeve të shkaktuara nga ariu, menjëherë ka informuar strukturat udhëheqëse të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe kanë zhvilluar takime me institucionet e MMPH/AMMK siç janë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, Inspektoratin e Mjedisit dhe Divizionin e Natyrës ku është diskutuar për mundësinë e gjetjes së zgjidhjeve për të ju përgjigjur shqetësimit të banorëve të fshatit Pouska.
“Gjatë këtyre takimeve është diskutuar për marrjen e masave të menjëhershme që të veprohet në mbrojtjen e banorëve të fshatit Pouska përmes patrullimeve të vazhdueshme 24 orëshë të Policisë së Kosovës, zyrtareve të PK Sharri dhe shoqatës së Gjahtarëve Sharri, në këtë vendbanim dhe në momentin që bëhet identifikimi i ariut të kontaktohen edhe zyrtarët e Strehimores Parku i Arinjve në Mramor – Prishtinë për mundësinë e trajtimit të ariut”, deklaron Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”.
DAPK “Sharri” thotë se është duke e trajtuar këtë rast si dhe është duke punuar në gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi konform legjislacionit në fuqi.