Arbëri

Spitali i Mushkërive në Pejë, i vetmi në Kosovë për trajtimin e tuberkulozit

Pacientët e prekur nga sëmundja e tuberkulozit në tërë vendin tonë do ta kenë së shpejti vetëm një adresë për trajtim dhe madje në spitalin e sëmundjeve të mushkërive “Nëna Terezë” në Pejë, i cili funksionon në kuadër të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës. Aktualisht është në proces kjo iniciativë e nisur nga Ministria e Shëndetësisë, në mbështetje të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.

Ideja për ta shndërruar këtë spital të mushkërive në qendër referente për sëmundjen e tuberkulozit për krejt vendin ndërlidhet edhe me traditën e gjatë që e ka spitali i mushkërive dhe ambienti i objektit të ri ku gjendet afër Spitalit të Përgjithshëm dhe i rrethuar me pisha të larta. “Duam ta bëjmë spitalin e mushkërive ‘Nëna Terezë’ qendër kryesore për trajtimin e tuberkulozit në nivel vendi, në të cilin do të sillen për trajtim pacientët nga Klinika e Pulmologjisë e QKUK-së dhe nga spitalet e tjera në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Ky proces është në zhvillim, në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne e kemi dhënë mbështetjen tonë, pasi Peja e ka traditën për trajtimin e kësaj sëmundjeje infektive, por që duhet bërë disa investime në këtë spital, përfshirë edhe angazhimin e stafit shtesë. Dhe besoj që kjo mund të ndodhë sivjet”, thotë Skënder Dreshaj, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)