Arbëri

Banorët e Sibovcit s'po pajtohen me vendimin e Qeverisë që të mos ndërtohet në zonën me interes të veçantë

Komuna e Obiliqit, javën e kaluar ia ka rrënuar shtëpinë, të cilën posa e kishte ndërtuar Mërsim Krasniqit.

Krasniqi është i revoltuar me organet komunale, pasi thotë se nuk i ofruan një zgjidhje.

Ai e kishte ndërtuar shtëpinë në fshatin Sibovc në zonën që është shpallur me interes të veçantë nga Qeveria e Kosovës në vitin 2011, raporton KTV.

Edhe banorët e tjerë të kësaj ane kërkojnë zgjidhje nga institucionet, pasi sipas tyre, nuk duhet lejuar të përsëritet situata sikurse në Shipitullë dhe Hade.

Në Komunën e Obiliqit thonë se janë të obliguar ta zbatojnë vendimin e Qeverisë.

Korporata Energjetike e Kosovës i shfrytëzon këto hapësira për nxjerrje të thëngjillit.


Në një përgjigje me shkrim, KEK-u ka thënë se ende është duke vazhduar me regjistrimin dhe incizimin e patundshmërive me banorë që po pranojnë incizimin.

më tani, komisioni ka përfunduar regjistrimin në rreth 85% të patundshmërive.

“KEK-u ashtu siç ka vepruar në projektin e parë, ku tashmë ka përfunduar kompensimin e banorëve, edhe në projektin e dytë të zhvendosjes, KEK-u do t’i kompensojë pas përfundimit të proceduarave”, ka thënë zëdhënësi Skënder Bucolli.

KEK-u kishte hasur në rezistencë të banorëve gjatë procesit të shpronësimit të tokave në Shipitullë dhe Hade, ku tashmë janë shpronësuar rreth 52 hektarë dhe i kishte kushtuar rreth 19 milionë euro.