Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë ka filluar ndërtimin e kanalizimit në Zhabar të Mitrovicës.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë për media, drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, ishte pjesë e fillimit të këtyre punimeve, me ç’rast tha se ky projekt po arrin të realizohet nga kërkesa e vetë banorëve të kësaj lagjeje pasi që ata kanë hasur shumë probleme me tokat e tyre të cilat vërshoheshin nga shiu dhe qe 20 vite ato nuk janë punuar asnjëherë.
Muja, tha se këtë kërkesë të qytetarëve e ka marrë me prioritet, pasi që ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e fushës së ambientit dhe të jetës së banorëve të kësaj lagjeje. Ai po ashtu tha se jo vetëm në Zhabar, por edhe në vendet tjera kanë filluar të intervenojmë në funksionalizimin e kanalizimit dhe zhbllokimin e tyre.
“Gjithmonë them se qytetarët duhet të kenë shërbime sa më të mira. Po ashtu, edhe infrastruktura duhet të jetë në nivel, prandaj ne jemi të gatshëm, që aq sa lejojnë mundësitë buxhetore, të mbështesim mjediset që kanë nevojë për rregullimin e kanalizimit, rrugëve, ujësjellësit. Prandaj, jo vetëm në Zhabar, por edhe në vendet e tjera ku paraqitet nevoja do të intervenohet”, tha Muja.