Arbëri

Miratohet nisma për financimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Gjilan

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar draftin e platformës vjetore të politikës së inteligjencës dhe të sigurisë. Në Platformën Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë, parashtrohen prioritetet strategjike të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, e cila po ashtu përmban udhëzimet e përgjithshme për punën e kësaj Agjencie, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në pajtim me Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Drejtori i AKI-së propozon një version të Platformës Vjetore të Politikës së Inteligjencës dhe Sigurisë për Këshillin e Sigurisë të Kosovës për shqyrtim nga ana e tyre. Pas konsultimit të Kryeministrit me Presidentin e Republikës së Kosovës, Platforma i procedohet për miratim Qeverisë, ndërsa pas miratimit nga ana e Qeverisë, Platforma i dërgohet Organit Mbikëqyrës Parlamentar për informim, dhe Drejtorit të AKI-së për veprim.

Qeveria ka ndarë mjete financiare, sipas kërkesës së Komunës së Mitrovicës, në vlerë prej 74.200 euro në mbështetje të realizimit të projektit për ngritjen e monumentit kushtuar dëshmorit, Harun Beka.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për zbatimin e nenit 9 të Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2019, për përmbushjen e detyrimeve financiare nga viti paraprak për projektet kapitale shumëvjeçare. Në pajtim me Ligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2019, Qeveria jo më shumë se 30 ditë pas lëshimit të ndarjeve buxhetore të plota për vitin fiskal 2019 i dorëzon Kuvendit për informim, tabelat me ndryshimet e bëra që kërkohen nga organizatat buxhetore për të përmbushur obligimet e pakryera financiare nga viti paraprak që lidhen me projektet kapitale shumëvjeçare.

Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar dy vendime për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesave për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme. Vendimi i parë ka të bëjë me pronat e ish-ndërmarrjes OBP “Produkt” në Komunën e Skenderajt, të cilat do të preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Parkut të Biznesit” në këtë komunë. Ndërsa vendimi i dytë me pronat e paluajtshme të ish-ndërmarrjes “Drenica OTHPB ‘Agroprodukt” në Komunën e Drenasit, të cilat preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore të stadiumit të qytetit ‘Rexhep Rexhepi”.

Po sot, Qeveria ka miratuar gjithashtu vendimin preliminar të shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme të Ndërmarrjes Shoqërore “Auto-Moto Kosova dhe “INA Zagreb” të cilat preken nga ndërtimi i objekteve ndërtimore për nevoja të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në Prishtinë.

Edhe vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave publike të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, në komunat Graqanicë, Lipjan, Ferizaj, Kaçanik dhe Hani i Elezit, ka marr miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme.

Pas shqyrtimit nga kabineti qeveritar është miratuar nisma e Ministrisë së Financave për negocim të Marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit ‘Trajtimi i ujërave të zeza në Komunën e Gjilanit”.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe aprovuar rekomandimet e Grupit punues për përgatitjen e dokumentit të politikave për akomodimin e institucioneve shtetërore. Dokumenti analizon tri opsione:

Vazhdimi i marrjes me qira i objekteve për akomodim të institucioneve. Në vitin 2019 pritet që numri i zyrtarëve të akomoduar në ndërtesa me qira do të jetë rreth 2600. Kostoja e shpenzimeve vjetore për akomodimin e tyre do të arrijë në 4 500 200 euro.

Opsioni i dytë shqyrton mundësinë e shpronësimit të pronës dhe objekteve për nevoja të akomodimit. Sipas kostos aktuale shpronësimet sillen ne rreth 1500-2200 euro për metër katror.

Opsioni i tretë rekomandon mundësinë e ndërtimit të kompleksit qeveritar për akomodimin e të gjitha institucioneve që kanë nevojë. Ky opsion konsiderohet si më i vështiri për realizim për faktin se duhet siguruar investimet dhe njëkohësisht në këtë periudhë të paguhet qiraja në këtë kohë

Komisioni i ka rekomanduar Qeverisë që të përcaktohet për njërin nga opsionet e propozuara në mënyrë që konform legjislacionit në fuqi të autorizojë institucionet kompetente për realizimin e planit pasi që nevoja për akomodim të institucioneve është e madhe dhe po vazhdon të rritet. Qeveria ka aprovuar si variantin më të pranueshëm opsionin e dytë.