“Gjuha Shqipe” qëndronte mbi bankën e parë të klasës së braktisur. E në tabelë ishin shkruar emrat e pesë veprave shkollore, të cilat mësuesja e klasës së tretë ua kishte dhënë nxënësve për t’i lexuar gjatë pushimeve verore.
Nxënësit mbase mund t’i kenë lexuar, por meqë dyert e shkollës “Rilindja” në Godanc të Drenasit nuk u hapën në shtatorin e 2018-s, ata nuk patën mundësinë të takoheshin sërish me mësuesen për t’ua rrëfyer përmbajtjen e veprave, shkruan sot “Koha Ditore”.
Më 1 shtator, kur po i mbushte nëntë vjet nga ndërtimi, shkollës fillore “Rilindja” iu vu dryni. Komuna e Drenasit e mori këtë vendim për shkak të numrit të vogël të nxënësve. Të njëjtin fat e patën edhe shkollat e dy fshatrave të tjera, Gjurgjicë e Abri të Drenasit.
Numri në rënie i nxënësve është dëshmi për boshatisjen e këtyre trevave. Shanset e vogla për punësim dhe varfëria e skajshme po i shtyn banorët e kësaj të largohen.
Ndonëse është vetëm 9 kilometra larg Drenasit, banorët e Godancit shprehen të mllefosur me pushtetin. Ata ndihen të harruar. Tregojnë se si para luftës fshati ka pasur mbi 500 banorë, ndërsa tash numri i tyre është përgjysmuar.
Shpërnguljet, pasojë e papunësisë
Teksa merr rrugën drejt këtij fshati, në kilometrin e parë ndodhen “Lugu i botës”, “Guri i madh”, “Lugu i priftit”. Të tri këto vende dikur ishin pikëtakim i të rinjve të Godancit. Atyre tash u ka mbetur vetëm “emri”.
Pjesa më e madhe e rinisë ka ikur nga fshati. E ata që kanë mbetur kanë pak shpresë për të ardhme më të mirë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)